Qeveria serbe ka sqaruar se avionët që fluturuan të mërkurën sipër qiellit të Preshevës, në afërsi të kufirit me Kosovën, ishin pjesë e një parapërgatitje për stërvitje ushtarake që zhvillohet sot. Ndërkohë, bombarduesit e Serbisë shqetësuan pa masë shqiptarët në Luginën e Preshevës.
“Sadajestvo 2018”, thënë ndryshe koordinimi, është stërvitja ushtarake e Serbisë në një zonë afër shqiptarëve të Preshevës dhe jo shumë larg kufirit me Kosovën. Pikërisht për këtë, të mërkurën u panë disa avionë që fluturonin ulët në qiellin e Luginës. Por ky zhvillim shqetësoi pa masë shqiptarët që jetojnë atje, pasi erdhi në një moment ku tensionet me Kosovën janë të larta, për shkak të arrestimit dhe dëbimit të shefit të zyrës për Kosovën në qeverinë e Beogradit, Marko Gjuriç.
Ndërkohë, ministria e Mbrojtjes e Serbisë sqaroi për ABC News se fluturimi i avionëve i filmuar nga qytetarët e Preshevës është në kuadër të një ushtrimi taktit në vendin e quajtur Fushat e Fasuleve në Despotovac. Në këtë event do të marrin pjesë dhe presidenti Aleksandër Vuçiç, si komandant i përgjithshëm dhe ministri i Mbrojtjes i Serbisë Aleksandër Vulin.
Një zyrtar i lartë i ushtrisë së Beogradit tha se “Sadajestvo 2018 do të tregojë efektet e përbashkëta të artilerisë, këmbësorisë dhe aviacionit në operacionet kundër kryengritësve dhe terroristëve”. Për avionët luftarakë që dyshohet se të mërkurën mund të kenë hyrë dhe në hapësirën ajrore të Kosovës reagoi edhe KFOR. Misioni ndërkombëtar paqeruajtës në Kosovë nën udhëheqjen e NATO-s fton të gjithë banorët të qëndrojnë të qetë, sepse, siç thekson ai, “nuk ka kërcënim”./abcnews.al