Qeveria shqiptare ka nisur fushatën e informimit për nismën më të re “Dyfisho Sipërmarrjen Tënde” në mbështetje të bizneseve.
Zv.kryeministrja Albana Kociu deklaroi në Durrës se kjo nismë e qeverisë do të shërbejë për të përgatitur bizneset shqiptare për t’u anëtarësuar në BE.
“Ne jemi duke u bashkuar me tregun e BE-së, pra bizneset tona duhet të jenë në të njëjtin standard me BE-në. Programi u jep mundësi atyre që duan të investojnë në teknologji, dixhitalizim, pajisje, automatizim.”, tha Koiçiu.
Programi ofron kredi deri në 2 milionë euro për bizneset e vogla dhe të mesme. Por skepticizmi i bizneseve mbetet tek bankat. Kociu garantoi se qeveria do të ofrojë ekspertizë falas, në mënyrë që të eliminohen të gjitha burokracitë dhe pengesat.
“Kjo është arsyeja pse do të vendoset ekspertizë falas për ata që kanë nevojë të shkruajnë një plan investimi, që bankat të mos hapin pengesa. Edhe qeveria, nga ana tjetër, do të bëjë pjesën e saj. Procesi do të jetë i thjeshtë, pa burokraci, që të përshtatet me kërkesat që ka edhe sektori bankar. Duhet të informojmë bizneset sa më shumë, për ata që duan të bëhen pjesë.”, tha ajo.
Me programin e ri “Dyfisho Sipërmarrjen Tënde”, çdo sipërmarrje e vogël dhe e mesme ka mundësi të aplikojë për kredi deri në 2 milionë euro, me 2-3% interes dhe 70% kolateral të garantuar nga qeveria, por me kushtin që të ketë një plan të pranueshëm nga bankat, në mënyrë që të marrë kredinë.
Aplikimet janë të hapura deri në nëntor 2027. Fondi fillestar është parashikuar 250 milionë euro, por qeveria shqiptare ka paralajmëruar gatishmërinë për ta çuar atë deri në 1 miliard euro.



