Përfundon takimi i zyrtarit të lartë të DASH me Bashën, Reeker shmang Metën

schedule13:08 - 30 Qershor, 2021

schedule 13:08 - 30 Qershor, 2021

Ka përfunduar takimi në Selinë Blu i kryedemokratit Lulzim Basha me Ndihmës Sekretarin e Shtetit Amerikan, Philip Reeker. Më herët gjatë ditës zyrtari i lartë i DASH, i shoqëruar nga ambasadorja Yuri Kim, u takua edhe me kryeministrin Edi Rama.

Gazetari i ABC Juxhin Mustafaraj duke raportuar nga Selia Blu bën të ditur se ashtu si në rastin e takimit me kreun e qeverisë, dihen shumë pak detaje. Zyra e shtypit të PD pritet të dalë më vonë gjatë ditës me një deklaratë për takimin që zgjati për më shumë se 60 minuta.

Kreu i opozitës shoqërohej nga Sekretari i Përgjithshëm i PD Gazment Bardhi dhe nga deputetja Jorida Tabaku.

Ky takim, siç raporton gazetari nuk ishte thjesht një takim kortezie dhe gjatë tij janë diskutuar çështje si integrimi, ecuria e negociatave, mbështetjen që SHBA i ka dhënë Shqipërisë në Reformën në Drejtësi dhe në luftën kundër korrupsionit.

Mustafaraj solli në vëmendje se ajo që bie në sy është fakti që një zyrtar kaq i lartë i DASH vjen në Shqipëri dhe anashkalon kreun e shtetit Ilir Meta. Në agjendën e tij nuk parashikohet një takim me Metën. s.b/abcnews.al/