Gërdeci, Mediu refuzon të dëshmojë: Do flas pasi të mbarojnë të gjithë dëshmitarët

schedule10:44 - 13 Mars, 2024

schedule 10:44 - 13 Mars, 2024

Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu refuzoi t’iu përgjigjej pyetjeve të prokurorëve të SPAK në cilësinë e të pandehurit. Ai bëri një deklaratë në gjykatë, ku tha se do t’u përgjigjej vetëm pyetjeve të avokatëve dhe në atë fazë edhe prokurorët sipas tij kanë të drejtë të bëjnë pyetje. Sipas përfaqësuesve të organit të hetimit, ky quhet refuzim nga ana e Mediut.

Ndërkohë gjykata relatoi edhe në lidhje me plotësimin e letërporosive që duhet të dërgohen në SHBA për pyetjen e Patrick Henry dhe 4 përfaqësuesve të tjerë të kompanis “SAC”. Prokurorët thanë se pyetja e tyre me video-konferencë është e vështirë të realizohet nga ana e tyre dhe propozojnë që të kryhet në seancë gjyqësore.

Avokatët e Mediut por edhe përfaqësuesi i familjarëve të viktimave ishin dakort që seanca të zhvillohej me video-konferencë. Ende nuk ka një vendimmarrje në këtë pikë ku pritet të vendoset në ditët në vijim nga togat e zeza.

Ndërsa Dashnor Caushi, ish Drejtor i Logjistikës, i bashkëpandehur në procesin e Gërdecit e i dënuar në procesin e mëparshëm me 3 vjet burg refuzoi të japë deklarime në seancën e së mërkurës. Ai shfrytëzoi të drejtën që i jep ligji për të mos dhënë shpjegime, por prokuroria e posaçme lexoi deklarimet e vitit 2008:

“Gjatë kësaj kohe Sokol Ngjeçi për një interes mbi projektdraftin e kalimit të municioneve. Më ka marrë në telefon edhe ministri i mbrojtjes për të më pyetur çfarë ka ndodhur me urdhërin”.

Seanca e radhës do të mbahet më datët 27 mars në orën 09:00 ndërsa këtë të mërkurë nuk u paraqitën sërish për të dëshmuar Denis Hajdari, Anjola Agolli dhe Luan Hoxha të cilët nuk u gjetën në adresat përkatëse për të marrë njoftim ndërsa do të përsëritet thirrja për pyetjen e tyre.

“Sot në GJKKO u zhvillua seanca e radhës ndaj Mediut, i marrë i pandehur me akuzën e shpërdorimit të detyrës. Sot Prokuroria e Posaçme thirri siëshmitarë tre persona por një prej tyre Dashnor Caushi refuzoi të jepte sqarime sot për shkak se rezultonte i dënuar në procesin e parë dhe shfrytëzoi të drejtën që të mos jepte deklarime në seancën e sotme. Prokuroria e Posacme kërkoi edhe ish ministrin Mediu por ky i fundit refuzoi të jepte sqarime ditën e sotme por deklaroi se është i gatshëm që të merrej në pyetje në fund të procesit. Një gjë e tillë e deklaroi edhe kur doli nga gjykata, duke e cilësuar si të paragjykuar procesin e tij dhe ka kërkuar që të japë sqarime në fund të procesit gjyqësor. Prokuroria e Posaçme e cilësoi si refuzim nga Mediu për të dhënë sqarime në seancë ku rradhën e përcakton prokuroria pasi janë ata që kanë kërkuar për të dhënë sqarime. Nga ana tjetër, në seancë u specifikuan edhe disa pyetje që SPAK ka kërkuar ndaj shtetasve amerikanë që të merren në pyetje si Patric Henry përfaqësues i kompanisë SAC. Kanë qenë autoritetet amerikane që kanë kërkuar specifikime për disa pyetje që SPAK i bëri në seancën e sotme.”, raportoi gazetari Ermal Vija.

Mediu thotë se do të pranojë të dëshmojë në fund të procesit, pasi të jenë dëgjuar të gjithë dëshmitarët dhe të jenë shqyrtuar aktet dhe provat shkresore.

“SPAK për dy vjet nuk më pyeti dhe hetoj cfarë donte, padyshim kjo është detyra e SPAK të hetojë, por mendoj se në dy vite duhet të kishte pasur vullnetin për të dëgjuar dhe të vërtetën time për të bërë drejtësi dhe për të ndryshuar edhe veprimet e qëllimshme të ish-Prokurorëve. Për fat të keq kjo nuk ndodhi. Prokuroria ka kërkuar të pyetem në fund të dëshmitarëve që ka paraqitur. Po Znj.Gjyqtare pranoj tu përgjigjem cdo pyetje të prokurorëve apo pyetjeve tuaja, por do ta bëj këtë në fund të këtij procesi, mbasi të jenë dëgjuar gjithë dëshmitarët e palëve dhe të jenë shqyrtuar të gjitha aktet dhe provat shkresore.Përndryshe zhvillimi i seancës së pyetjeve ndaj meje, në këtë moment të procesit do të jetë thjeshtë një akt formal, që nuk i shërben aspak të vërtetës, por thjeshtë statitikës.“, ka deklaruar mes të tjerash Mediu./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!