Në bulevardin “Zogu I” në Tiranë ka përfunduar ndërtimi i korsisë së re të biçikletave. Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj deklaroi se ky është vetëm një nga segementët, pjesë e projektit prej 10 km që do të ndërtohen në kryeqytet.
Korsi të dedikuara për biçikleta i janë shtuar Tiranës edhe në Bulevardin “Zogu I”. Kryebashkiaku Erion Veliaj theksoi se ky është vetëm fillimi i një projekti që do të vazhdojë të shtrihet më tej.
“Më në fund shohim dallëndyshen e parë të projektit prej 10 km korsi. Ky është segmenti i parë, më shumë sesa 1 km, në të gjithë gjatësinë e Bulevardit ‘Zogu I’, një rrugë ekskluzive, ndoshta rruga më romantike për biçikletat, e rrethuar nga pemë, e mbrojtur nga makinat, si kurrë më parë në Tiranë. Sigurisht, korsia do të lidhet më pas edhe me Bulevardin e Ri, ndërsa nga ana tjetër, kemi sheshin “Skënderbej”, një hapësirë të madhe pedonale për biçikletat. Mandej, do të vijojmë me korsitë e Unazës së Vogël, për të vijuar në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku siç e keni parë, jemi duke vendosur trafikndarëset e kuqe, për një korsi ekskluzive biçikletash”, u shpreh entuziast Veliaj.
Synimi deklaroi kryebashkiaku është që brenda një kohe të shkurtër, Tirana të ketë një rrjet minimal korsish të mbrojtura për biçikletat, çka natyrisht do të nxisë edhe më shumë përdorimin e tyre.
“Duam që brenda pranverës të kemi 10 km rrjet minimal korsi biçikletash, pra një rrjet të lidhur nga fillimi deri në fund për pjesën qendrore të Tiranës. Me ardhjen e 4 mijë biçikletave të reja në Tiranë, prej projektit që kemi me Bashkinë e Firences, qytetarët do mund ta përdorin atë më lirë se sa një biletë autobusi”.
Kryebashkiaku i bëri apel qyetarëve të respektojnë sinjalistikën për korsitë e dedikuara. Ndërkohë që për t’i ndërgjegjësuar ato do të angazhohen disa vullnetarë./abcnews.al