Përfundon ndërtimi i këndit të 36 të lojërave

schedule12:26 - 10 Tetor, 2018

schedule 12:26 - 10 Tetor, 2018

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, premton kënde lojërash për fëmijët në çdo lagje të kryeqytetit. Veliaj ishte në njësinë administrative numër 9 ku përuroi një hapësire rekreative për banorët e zonës.

Një kënd i ri lojrash për fëmijët e lagjes “Myrteza Topi” dhe një hapësirë çlodhëse për të rriturit i shtohet njësisë administrative numër nëntë në Tiranë.

Bashkia thotë se ky është këndi i 36 që i shtohet kryeqytetit dhe është realizuar në bashkëpunim me Ambasadën e Çekisë në vendin tonë.

“Kur kemi ardhur këtu për herë të parë, edhe gjatë fushatës, s’ka pasur fëmijë; jo se nuk ekzistonin, ata këtu kanë qenë, por për sa kohë s’ka pasur kushte, kënde lodrash, apo një mjedis të sigurt ku mund të luanin, mbylleshin brenda. Fakti që ky është këndi i tretë i lodrave që krijojmë në Njësinë 9, ndërkohë që në gjithë Tiranën janë edhe 35 të tjerë, do të thotë se kur ne shqiptarët fokusohemi tek puna, edhe me pak ndihmë nga miqtë tanë ndërkombëtarë, mund të bëjmë gjëra të mrekullueshme”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku Erion Veliaj thotë se investimet për fëmijët do të vijojnë edhe vitin e fundit të mandatit ndërkohë që pretendon edhe një tjetër mandat në krye të bashkisë.

“Jam i bindur se kjo lagje ka nevojë për shumë punë, jam i sigurt që çdo bllok mund të ketë nevojë për kënde lodrash, por gjasat janë që ata që kanë bërë 35 kënde mund të bëjnë edhe 100; nëse s’bëjmë dot asgjë dhe nuk fillojmë nga diku, atëherë s’mbarojmë dot asnjë punë. Ndaj, besoj se për shumë ndërhyrje që kemi nisur në Njësinë 9, ky është vetëm fillimi. Pjesa që ka mbetur nga ky mandat apo edhe mandatin tjetër, do të sigurohemi që në çdo lagje të kemi një kënd të vogël, ku fëmijët të gëzojnë një jetë që ja vlen të mbahet mënd si fëmijëri e bukur në Tiranë”, u shpreh ai.

Këndi i lojrave dhe sheshi rekreativ në Rr. “Myrteza Topi” ka një hapësirë prej 1408 m2, nga të cilat 160 m2 gjelbërim./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!