Dy zjarre janë shënuar gjatë mbrëmjes dhe orëve të para të mëngjesit në qarkun e Lezhës, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale, por fatmirësisht pa pasoja në njerëz.
Ngjarja e parë ka ndodhur në rrugën e Kombit, në kilometrin 34, ku është përfshirë nga flakët një trailer autobot që transportonte karburant. Falë ndërhyrjes së menjëhershme të shërbimit zjarrfikës të Mirditës, zjarri është vënë nën kontroll në kohë, duke shmangur përhapjen e flakëve dhe pasoja më të rënda, pavarësisht sasisë së madhe të karburantit që transportohej.
Zjarri i dytë është regjistruar rreth orës 01:30, në fshatin Shullaz të Kurbinit, ku flakët kanë përfshirë një objekt biznesi, servis automjetesh, në pronësi të një shtetasi 48-vjeçar. Si pasojë, janë djegur dy automjete dhe një sasi gomash, duke shkaktuar dëme materiale me vlerë të konsiderueshme.
Grupi hetimor vijon punën për përcaktimin e shkaqeve të rënies së zjarrit dhe dokumentimin e plotë ligjor të të dy rasteve.


