Përfaqësuesit e PD vizitë në qendrën mjekësore në Kamëz: Ministria e Shëndetësisë e paaftë për të ruajtur jetën e qytetarëve

schedule16:13 - 25 Shkurt, 2020

schedule 16:13 - 25 Shkurt, 2020

Përfaqësuesit e Partisë Demokratike Albana Vokshi dhe Gazmend Konduzi kanë vizituar qendrën mjekësore në Kamëz, për të parë nga afër masat e marra nga kjo qendër në lidhje me Koronavirusin, i cili po i afrohet gjithnjë e më tepër Shqipërisë.

Pas vizitës në këtë qendër Konduzi dhe Vokshi deklaruan për median se:

“Ka një indiferencë dhe paaftësi nga ana e ministrisë së shëndetësisë dhe institucioneve të saj për të siguruar jetën e personelit shëndetësor por gjithashtu edhe familjarëve dhe popullatës shqiptare”, deklaroi Konduzi.

Ndërkohë Albana Vokshi bëri thirrje që qytetarët të ruajnë qetësinë dhe të rrisin masat për kushtet higjeno-sanitare.

“Qytetarët nuk duhet të panikohen. Lajmi i mirë është që në Shqipëri nuk ka të konfirmuar me koronavirus. Vetë Qytetarët duhet të marrin masat për kujdesin hijeno-sanitar dhe të njoftojnë stafin  mjekësor nga ana tjetër, qytetarët, mjekët, stafi mjekësor  nuk kanë nevojë për propagandën qeveritare apo për show.

Qeveria të mos harxhojë më milionat e eurove për një grup oligarkësh e klientësh për koncesione abuzive, korruptive, kriminale të panevojshme por këto para ti alokojë për një situatë që ti paraprijë të parandalojnë koronavirusit.

Grupet e Partisë Demokratike do të vazhdojnë të jenë në terren për të monitoruar situatën e Koronavirusit jo vetëm në Tiranë por edhe në qytete të tjera. PD do të vazhdojë të jetë zëri i mjekëve dhe zëri i stafit mjekësor që tashmë punojnë në një terror të vërtetë“, tha Vokshi./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!