Pavarësisht faktit se kanë rifilluar jetën diku tjetër, kjo nuk e ka penguar diasporën shqiptare të ndjekë me vëmendje çdo zhvillim politik apo socio-ekonomik të vendit të origjinës, e cila ndikon edhe në jetën e tyre. Për të folur për situatën politike në Shqipëri por edhe për shqetësimet që ndeshin shpesh në vendet ku jetojnë, ishin në ABC Live me gazetaren Juli Xhokaxhi, 4 përfaqësues të emigrantëve shqiptarë nga Greqia, Italia, Gjermania dhe Spanja.
Eduart Kaca Doktor i Shkencave Politike nga Gjermania, Kryetari i Federatës së Shqiptarëve Edmond Guri nga Greqia, Gazetari dhe Aktivisti Arbër Agalliu nga Italia, dhe Enereida Isufi studente në Universitetin e Barcelonës nga Spanja, u shprehën të pakënaqur me politikat aktuale të shtetit shqiptar ndaj emigrantëve e sidomos me shkrirjen e Ministrisë së Diasporës. Sipas tyre, edhe pse kjo ministri nuk bëri asgjë të vlefshme për diasporën, ajo duhej përmirësuar dhe jo të shkrihej.
Sipas Edmond Gurit, aktualisht Shqipëria ka humbur 170 mijë shqiptarë sepse tashmë kanë marrë shtetësi greke. Ai denoncon se mungesa e furnizimeve me karta identiteti të bashkëatdhetarëve në Greqi, mbetet ende një problem.
Pjesë nga biseda:
Edmond Guri: Aktualisht kemi zhdukjen e Ministrisë së Diasporës, kemi mungesën e ekzistencës së shtetit shqiptar. Greqinë e shohin si dorën e dytë apo të tretë. Eleminuan projektin që ishte, me një të rënë të lapsit, u eliminua ajo përpjekje që ishte bërë deri diku. Aktualisht kemi një komunitet shqiptar prej 650 mijë shqiptarë, përfshirë dhe një pjesë të madhe që janë minoritare, plus ata që kanë marrë shtetësi greke. Në mungesë të shtetit amë, këta shqiptarë janë përpjekur dhe të detyruar të ndjekin politikat këtu, janë struktur këtu dhe mundohen të shohin objektivat e tyre në jetën sociale të këtij vendi, ku janë vendosur. E them me keqardhje, por shoh një reduktim dhe regres të bezdisshëm të komunitetit, i cili nuk ndihmon dinamikën. Shteti shqiptar e reklamon me pompozitet të madh gjuhën shqipe jashtë vendit, por ndërkohë që përpara 5 vjetësh kishim gati 1800 nxënës të regjistruar në kurset e gjuhës shqipe në Greqi, aktualisht kemi rreth 450 të tillë.
Kjo lidhet me shumë aspekte, me indiferentizmin e prindërve, lidhet me mungesën e organizmave të cilët angazhohen në këtë fushë. Qeveria shqiptare dhe kryesisht ambasadat shqiptare e shtetit amë nuk angazhohen për diasporën. Po ti referohemi Greqisë, ka qenë një traditë e shpifur historia me ambasadat, ka patur korrupsion. Aty përbuzeshin bashkëatdhetarët kur kërkonin shërbimet. Funksiononin si përfaqësi politike. Në aparencë dukeshin miqësor me ne, por në realitet ishin të pamundura shërbimet. Justifikoheshin duke thënë se shteti shqiptar nuk është i fuqishëm. Arritën deri aty sa një pasaportë merrej si shërbim pas 6 muajve. Tani kemi ambasadoren e re, e cila duket se ka një profil ndryshe. Gjithsesi ende mbetet problematike mungesa e furnizimeve me karta identiteti të bashkë atdhetarëve tanë në Greqi. Ka edhe një tjetër fakt shqetësues, që unë dua ta paraqes si problematikë: Aktualisht janë 170 mijë shqiptarë që kanë marrë shtetësi greike, të cilët janë indifferent ndaj shtetit amë. Dua të them se shteti shqiptar ka humbur 170 mijë shtetas.
Ndërkohë Italia gjatë këtyre viteve ka bërë marrëveshje mes shteteve të tjera për njohjen e pensioneve, por Shqipëria mbetet sërish e përjashtuar. Sipas Agalliut, edhe për votën e emigrantëve u fol shumë por nuk u arrit asgjë.
Arbër Agalliu: Pak a shumë problematikat janë të njëjtat edhe në Itali ashtu si Greqia. Emigrantët jetojnë të harruar nga shteti i tyre. Kam deklaruar që Ministria e Diasporës nuk duhej hequr por përmirësuar edhe pse deri më sot, ajo ministri nuk mbahet mend se mund të ketë bërë diçka, përveçse aktiviteteve folkloristike. Në 2018 kemi treguar historitë e më shumë se 200 kandidatëve shqiptarë në zgjedhjet administrative në Itali, pra jo vetëm që shqiptarët janë të interesuar por edhe përfshihen në politikën italiane. Për të drejtën e votës është folur shumë por deri më sot nuk kemi arritur asgjë. Nuk është bërë asgjë për pensionet, Pensionistët tanë në Itali janë me dhjetëra e me mijëra, ata derdhin siguracione miliarda euro dhe nuk arrijnë të përfitojnë asgjë. Aktualisht nuk ka asnjë marrëveshje, mes Shqipërisë dhe Italisë. Janë gjithmonë e më pak shoqata të shqiptarëve. Komuniteti shqiptar ka nisur disa peticione për shtetin shqiptar, ku janë mbledhur me mijëra firma, dhe nuk kanë gjetur asnjë përgjigje. Praktikisht jemi pa mëmëdhe.
Eduart Kaca: Në Gjermani po rritet komuniteti i shqiptarëve, spikasin mjekët e infermierët. Sa i përket Ministrisë së Diasporës do të thoja se i ngjan atyre rrugëve që ndërtohen përpara zgjedhjeve sa për votat, dhe prishet pasi mbarojnë zgjedhjet. Kjo ministri nuk bëri asgjë sa ishte. Bëri disa takime selektive duke përzgjedhur njerëzit. Siç filloi ashtu dhe mbaroi. Pra diaspora edhe këtu ndihet pa mëmëdhe, edhe pse ka dhënë kontributin më të madh në 150 vitet e fundit për Shqipërinë dhe kombin.
Enereida Isufi: Po kërkoja të dhëna për komunitetin shqiptar në Spanjë dhe nuk gjeta të dhëna të sakta. Besoj se shqiptarët në Spanjë përballen me të njëjtat problematika si në vendet e tjera në Bashkimin Europian. E them edhe nga eksperienca personale, të rinjtë që kanë mbaruar një cikël studimesh në Shqipëri, kanë problem me njohjen e diplomave, ato nuk njihen. Kjo situatë të vendos përpara një vështirësie të dyfishtë diskriminuese. Ndihemi keq, jo vetëm nga fakti se i përkasim një shteti i cili nuk është pjesë e BE, por edhe pse shteti ynë nuk po përparon në atë stad, sa që të drejtat tona të njihen njëlloj me komunitetet e tjera që jetojnë aty, ku edhe ne jetojmë. Aktualisht nuk ka asnjë marrëveshje të shtetit shqiptar me atë spanjoll, aktualisht jemi gati inekzistent. Duhet të fillojmë gjithçka nga zero.
m.v/abcnews.al