Mediat maqedonase raportojnë se presidenti Ivanov mund të bllokoijë ligjin e spo miratuar në parlament për përdorimin e gjuhës shqipe dhe ta kthejë sërish për votim.
Pas miratimit të ligjit për përdorimin e gjuhës shqipe në Maqedoni në komisionet parlamentare dhe në seancë plenare, presidenti i shtetit Gjorge Ivanov, mund ta bllokojë dhe ta kthejë përsëri tek deputetët. Mediat maqedonase raportojnë se Ivanov që prej propozimit të këtij ligji ka dalë kundër, duke e cilësuar si anti kushtetues dhe minues i unitetit të shtetit. Në fjalimin e tij vjetor para deputetëve në Kuvendin e Maqedonisë ai tha se projektligji për përdorimin e gjuhëve vë në pikëpyetje interesat e përhershme të Maqedonisë dhe popullit maqedonas.
Nëse edhe për herën e dytë në Kuvend deputetët miratojnë ligjin, atëherë Ivanov nuk mund ta refuzojë dhe është i detyruar ta pranojë.
Në lidhje me këtë reagoi edhe deputeti i BDI-së, Artan Grubi, i cili ftoi Ivanovin që ta nënshkruajë ligjin dhe të pranojë realizimin e Marrëveshjes së Ohrit, pasi sipas Grubit, ligji për gjuhët është pjesë e marrëveshjes./abcnews.al