Brenda 3 muajve pritet të rinis puna e Këshillit Ndërakademik për gjuhën shqipe mes gjuhëtarve të Shqipërisë, Kosovës, Malit të zi dhe Maqedonisë së Veriut.
Ringritja e këtij këshilli u bë me propozim të kryetarit të Akademisë së Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Mehmet Kraja. Në një intervistë për “ABC News” Kraja thotë se qëllimi kryesor është rregullimi shkencor e ligjor i përdorimit të shqipes në funksione publike e zyrtare.
Kryetarët e dy akademive, të Shqipërisë dhe Kosovës firmosën marrëveshjen e ringritjes së tij. Mehmet Kraja shpjegoi se Këshilli do të përbëhet nga 7 gjuhëtarë nga Shqipëria, 7 nga Kosova dhe një nga Maqedonia e Veriut.
“Do të rifunksionalizohet dhe do të plotësojë rregulloren e punës. Janë shtatë nga Kosova shtatë nga Shqipëra dhe një nga Maqedonia, të tjerat janë çështjet e gjuhëtarëve se kush do ta përfaqësojë”, tha Kraja.
Qëllimi kryesor sipas studiuesit, Shaban Sinani është kujdesi për një rregullim shkencor e ligjor të përdorimit të shqipes në funksione publike e zyrtare.
“Zgjidhja e problemeve që kanë të bëjnë me funksionimin e shqipes si gjuhë zyrtare, duke konsideruar si trashëgimi të rëndësishme të gjithë dialektet e shqipes. Dialektet janë pasuri, bëhet fjalë për një rregullim të asaj pjese të gjuhës shqipe që shërbehet për folësit dhe përdoruesit e shqipes në publik”, theksoi Sinani.
Kraja thotë se me rëndësi është edhe botimi i vendimeve të marra që nga 2004 nga ky këshill, të cilat kanë mbetur të arkivuara.
“Jemi marrë vesh që ti botojmë ato vendime”, theksoi Kraja.
Kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Skënder Gjinushi tha se nuk do të mungojnë edhe botimet e përbashkëta në fushën e “Albanologjisë”, si dhe fjalori i gjuhës shqipe.
“Është angazhimi i të dy akademive për të drejtuar procesin sepse nuk jemi direkt hartuesit. Akademia jonë dhe ajo e Kosovës nuk ka institucione në varësinë e vet”, theksoi Gjinushi.
Këshillit Ndërakademik për Gjuhën Shqipe sapo ka nisur plotësimin e anëtarëve të tij dhe më pas hartimin e rregullores.
“Kanë për detyrë të hartojnë një rregullore mbi bazën e së cilës do të veprojë Këshilli Akademik me të dyja palët e përfaqësuara”, tha ndër të tjera Sinani.
Mbledhja e parë e Këshillit Ndërakademik pritet të nisë brenda 3 muajve. Ndërsa organizimi i takimit të parë të albanologëve të hapësirës historike shqiptare dhe të qendrave dhe shkollave të studimit të botës shqiptare jashtë saj do të mbahet brenda 2020./abcnews.al