Përcillet për në banesën e fundit Adem Demaçi

schedule14:13 - 28 Korrik, 2018

schedule 14:13 - 28 Korrik, 2018

Është përcjellë për në banesën e fundit Adem Demaci, i cili ndërroi jetë dy ditë më parë në moshën 82-vjeçare. Figura e tij si mbrojtës i të drejtave dhe lirive të njeriut, që udhëhoqi rezistencën kombëtare të Kosovës, është vlerësuar nga liderë të ndryshëm të politikës që ishin të pranishëm në ceremoni.

Është varrosur me nderime shtetërore veprimtari i çështjes kombëtare, Adem Demaçi. Liderë të ndryshëm të politikës shqiptare kanë marrë pjesë në ceremoninë e varrimit në Kosovë.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, u shpreh se koha kur jetoi njeriu i cili vuajti 28 vjet burg si pasojë e bindjeve të tij politike, do të njihet si Epoka e Adem Demaçit. Thaçi shtoi se Demaci kishte shtruar rrugën për çlirimin e Kosovës.

“Parimi kryesor i Adem Demaçit ishte bashkimi i shqiptarëve”, ka thënë Presidenti. “

“Adem Demaçi ishte lufta e lavdishme e UÇK-së”.

I pranishëm ka qenë dhe Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, i cili ndër të tjera tha se jeta e Demaçit ka qenë një luftë, një luftë të cilën ai e fitoi.

Adem Demaçi është varrosur pak metra larg ish-presidenti të Kosovës, Ibrahim Rugova, në Velani.

Ndërkohë kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, pas ceremonisë mortore, në nderim të emrit dhe veprës së Adem Demaçit ka propozuar vendosjen e shtatores së Adem Demaçi, në sheshin “Adem Demaçi” në Prishtinë, emërtimin e Autostradës Prishtinë–Pejë “Autostrada Adem Demaçi” dhe propozimin për të emërtuar Parkun e Qytetit të Prishtinës “Parku Adem Demaçi”.

Vendim–propozimi do të procedohet në mbledhjen e radhës të qeverisë së Republikës së Kosovës për respekt te emrit dhe veprës së tij, si pjesë e identitetit shpirtëror dhe politik të Kosovës, një figurë unike në përpjekjen për liri.

Bashkë me vendimin do të krijohet komisioni përkatës, që do të drejtohet nga Zyra e Kryeministrit për të ndjekur të gjitha procedurat e nevojshme. Zyra e Kryeministrit do të mbulojë shpenzimet e këtij vendimi./abcnews.al