Përçahet grupi parlamentar demokrat, Korab Lita shpallet kryetar, Hajdari: Nuk jam larguar

schedule23:26 - 14 Tetor, 2019

schedule 23:26 - 14 Tetor, 2019

Grupi parlamentar Demokrat, i krijuar pas djegies së mandateve të deputetëve të PD në Kuvend, ka shfaqur në publik përçarje të thella. Korab Lita njoftoi shkarkimin e Rudina Hajdarit si kryetare grupi e emërimin e tij në vend të saj. Mohimi i Hajdarit e pendesa e një prej firmëtarëve për shkarkimin e saj, reflekton një realitet aspak të qetë brenda këtij grupi.

Pas 6 muajsh formacioni opozitar që u pagëzua me emrin Grupi Parlamentar Demokrat ka dhënë sinjale të forta përçarje. Përmes facebook-ut, deputeti Korab Lita bëri publik një vendim, që sipas tij grupi parlamentar demokrat kishte marrë për të larguar nga drejtimi i grupit deputeten Rudina Hajdari dhe për ta emëruar atë si kryetar.  Por vetë deputetja Hajdari e kontaktuar nga ABC Neës ka përgënjeshtruar kolegun e saj duke konfirmuar se do të vijojë të qëndrojë në detyrë.

“Lajmi për largimin tim nga drejtimi i grupit është i pavërtetë. Jam në dijeni të një reagimi që ka pasur kolegu im Korab Lita por më duhet të konfirmoj se nuk ka asgjë të vërtetë. Që të jesh në krye të grupit parlamentar nuk mjafton vetëm dëshira. Ne si grup do të dalim me një qëndrim zyrtar”.

Më tej në Facebook, znj Hajdari bën referencë për atë që quan vendosmëri të grupit për të  135uar deri në fund reformimin e sistemit zgjedhor. Po nga FB erdhi reagimi i Korab Litës, i cili publikoi shkresën zyrtare drejtuar kryetarit të Kuvendit për ndryshimin e kreut të grupit, me firmat edhe të gjashtë anëtarëve, 2 zëvendëskryetarëve Arlind Cacani e Halit Valteri, të sekretarit të grupit Arben Elezi dhe tre anëtarëve Alban Zeneli, Halil Jakimi dhe Albana Dhimitri.

Një orë më vonë, një nga firmëtarët për shkarkimin e Hajdarit, nënkryetari Halit Valteri bën të ditur në FB se ka tërhequr firmën e tij, e për këtë ka njoftuar zyrtarisht kreun e Kuvendit. Valteri flet për të marrë që duan të faktorizohen për disa minuta dhe shkruan se nuk ka asnjë shkarkin apo zëvendësim të Rudina Hajdarit. Madje deputeti zbulon edhe dinamikën e ndarjeve brenda grupit, që sipas tij lidhet me kauzën e ndryshimit të sistemit zgjedhor.

“Klithjet e fundit për të devijuar kauzën e ndryshimit të sistemit zgjedhor, apo britmat kundër Reformës në Drejtësi, në “dobi” të disa aktorëve të tjerë brenda apo jashtë Parlamentit, nuk mund të pastrojnë apo mbrojnë kurrësesi imazhin e grupit të kolltukofagëve 30 vjeçar, që vazhdojnë e nginjen në plagë të infektuara, duke bërë pazare në kurriz të Shqipërisë. Për sqarim të kolltukofagëve, Grupi Parlamentar Demokrat ka një kauzë dhe ajo është më e SHENJTË, se secili emër që mund ta drejtojë këtë grup”.

Këtë luftë të brendshme e bërë publike virtualisht, duket se do ta ndajë kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi, i cili të paktën sipas publikimeve ka dy shkresa në tryezën e tij nga grupi demokrat: njërën me 7 firma që njofton shkarkimin e Rudina Hajdarit e një tjetër, deklaratën e numrit dy të grupit Halit Valteri që është penduar për firmën e hedhur. /ABC News Albania 24/7

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!