Franca ka filluar dërgimin e gazit në Gjermani për herë të parë sot, në një lëvizje që është një simbol i solidaritetit europian për shkak të ndërprerjes së flukseve nga Rusia.
“Është diçka historike, hera e parë që Franca do të dërgojë gaz direkt në Gjermani. Deri tani ne i kemi dërguar gaz fqinjit tonë përmes Belgjikës”, tha Thierry Trouvet, menaxher i përgjithshëm i GRTgaz, kompania që menaxhon rrjetin francez të transmetimit të gazit.
Kjo dërgesë konkretizon një marrëveshje ndihme reciproke të zyrtarizuar më 5 shtator midis liderëve të dy vendeve, Emmanuel Macron dhe Olaf Scholz, në një kohë kur kërkesa për gaz është rritur dhe çmimet gjithashtu.
Pas pushtimit të Ukrainës, Rusia uli ndjeshëm dërgesat e gazit në Europë, disa prej vendeve të së cilës ishin shumë të varura prej saj, si Gjermania. Por Franca ka më shumë gaz se fqinji i saj për shkak të dërgesave masive nga Norvegjia si dhe gaz natyror të lëngshëm (LNG) nga SHBA, të cilat pjesërisht e kanë lejuar atë të mbushë rezervat e saj dimërore në 100%.
Prandaj, të dy udhëheqësit ranë dakord që Franca do t’i dërgonte më shumë gaz Gjermanisë, e cila në këmbim mund të siguronte, nëse është e nevojshme, energji elektrike për fqinjin e saj, ku prodhimi i energjisë bërthamore është në pikën më të ulët.
Dërgesat e para të gazit drejt Gjermanisë nisën në orën 06:00 në sasi prej 31 gigavat orë (GWh)/ditë. Niveli i këtyre dërgesave “do të rivlerësohet çdo ditë në bazë të kushteve të rrjetit” dhe do të jetë në gjendje të arrijë një sasi maksimale prej 100 GWh/ditë.
/abcnews.al