Pep Guardiola e ka transformuar Rahem Sterling në një sulmues fantastik. 24-vjeçari la Liverpoolin për t’u transferuar te Manchester City në vitin 2015. Sot është një ndër 30 favoritët për të fituar “Topin e Artë”, por anglezi tregohet modest në prononcimin e dhënë për FourFourTwo.
“Mos më krahasoni me Messin dhe Ronaldon, nuk dua ta dëgjoj një krahasim të tillë. Nëse do të kem shënuar nga 50-60 gola në 15 vitet e ardhshme, atëherë mund ta bëni. Nuk po them që nuk e vlerësoj veten, por ata dy djem dominojnë prej 15 vitesh“, thekson Sterling, i cili ka shënuar 32 gola mes klubit dhe kombëtares gjatë vitit kalendarik (CR7 numëron 28 dhe Messi 35).
Sterling ndalet edhe te raporti me Pep Guardiolën. Trajneri spanjoll e ka ndihmuar shumë për t’u përmirësuar dhe sulmuesi i Manchester City zbulon se si ka ndodhur.
“Ai më ka përmirësuar shumë dhe po mësoj çdo ditë. Trajneri më ka kërkuar të sulmoj gjithmonë dhe të krijoj më shumë raste. Pepi më jep këshilla në lidhje me disa detaje si pozicionimi në fushë, ritmi dhe se kur duhet ta mbaj ose pasoj topin“, thekson Rahem Sterling. /abcnews.al