Pentagoni i bën thirrje Izraelit që të mbrojë civilët në Rripin e Gazës

schedule07:15 - 27 Mars, 2024

schedule 07:15 - 27 Mars, 2024

Udhëheqësit e Departamentit amerikan të Mbrojtjes ushtruan trysni ndaj homologëve të tyre izraelitë të martën, duke u bërë thirrje atyre që çdo operacion ushtarak në qytetin Rafah të zhvillohet në faza për të mbrojtur civilët dhe për të siguruar shpërndarjen e ndihmave, tha një zyrtar i lartë i Pentagonit. Ministri i Mbrojtjes i Izraelit ishte i hapur, tha zyrtari, por nuk është e qartë se çfarë ndikimi do të ketë takimi në planet izraelite për Gazën dhe në tensionet mes dy vendeve.

Udhëheqësit amerikanë kanë paralajmëruar vazhdimisht kundër një operacioni ushtarak tokësor në Rafah dhe kanë bërë thirrje për një operacion alternativ, më të përpiktë. Zyrtari i lartë i mbrojtjes e vlerësoi takimin 90-minutësh në Pentagon si shumë produktiv, por nuk pranoi të fliste kur u pyet nëse Sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin kishte kërkuar të kushtëzonte ndihmën e ardhshme ushtarake të Shteteve të Bashkuara për Izraelin me një përmirësim të situatës humanitare në Rripin e Gazës.

Sekretari Austin tha se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbrojnë të drejtën e Izraelit për të mbrojtur veten në përputhje me ligjet e luftës dhe ato humanitare, tha zyrtari, i cili foli me gazetarët në kushte anonimiteti.

Takimi, në të cilin mori pjesë edhe gjenerali CQ Brown, shef i shtatmadhorisë amerikane, pason rritjen e tensioneve mes Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit, të lidhura me krizën humanitare në rritje në Gaza dhe mosmarrëveshjet politike mbi arritjen e një armëpushimi.

Ministri izraelit i Mbrojtjes Yoav Gallant tha në një deklaratë se ata diskutuan “bashkëpunimin e rëndësishëm midis institucioneve izraelite të mbrojtjes dhe atyre amerikane për të siguruar avantazhin ushtarak cilësor të Izraelit në rajon”.

Zyrtari amerikan i mbrojtjes tha se forcat izraelite duhet të përdorin sulme me saktësi të lartë, të cilat kanë qenë efektive kundër udhëheqësve të Hamasit në zona të tjera të Gazës. Zyrtari nuk pranoi të jepte detaje në lidhje me përgjigjen e zotit Gallant.

“Ishte një bisedë shumë e mirë sot mes Sekretarit të Mbrojtjes Austin dhe Ministrit Gallant. Ata e njohin mirë njëri-tjetrin. Ata i besojnë njëri-tjetrit. Ata janë miq. Kështu që, ndarja e ideve të sekretarit me ministrin izraelit, do të thosha u prit mirë”, tha zyrtari amerikan.

Në fillim të takimit, zoti Austin tha se do të diskutohej mbi mënyrat alternative për të goditur Hamasin në Rafah, duke theksuar “numrin e lartë të viktimave civile” në Gaza dhe nivelin “shumë të ulët” të dërgesave me ndihma humanitare. Por ai përsëriti gjithashtu mendimin se Izraeli ka të drejtë të mbrojë veten dhe se Shtetet e Bashkuara do ta mbështesin atë gjithmonë.

Zoti Gallant, ndërkohë, theksoi kërcënimet e vazhdueshme ndaj Izraelit dhe tha se takimi do të trajtonte mënyrat për të shkatërruar Hamasin dhe për të liruar pengjet izraelite, si dhe planet për të kthyer banorët e zhvendosur në shtëpitë e tyre.

Takimi Sullivan-Gallant

Ndërkohë, edhe Këshilltari i Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, Jake Sullivan, mbajti një ditë të dytë bisedimesh të martën me ministrin izraelit të mbrojtjes Yoav Gallant, në të cilat Shtetet e Bashkuara theksuan kundërshtimin ndaj një ofensive tokësore të Izraelit në Rafah.

Takimi në Shtëpinë e Bardhë erdhi një ditë pasi kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu bllokoi papritmas një delegacion izraelit që të takohej me homologët amerikanë për shkak se Shtetet e Bashkuara përmes abstenimit lejuan miratimin e një rezolute të OKB-së, e cila bënë thirrje për një armëpushim në Rripin e Gazës.

Presidenti amerikan Joe Biden po përpiqet të bindë Izraelin që të mos nisë një ofensivë tokësore në qytetin jugor të Gazës, Rafah, për shkak të kushteve të rënda humanitare atje dhe rrezikut të viktimave civile.

Rafah është vendstrehimi i fundit për rreth gjysmën e 2.3 milionë banorëve të Gazës, shumica prej të cilëve janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre për shkak të luftimeve mes Izraelit dhe militantëve të Hamasit.

Sipas autoriteteve palestineze, më shumë se 32,000 njerëz janë vrarë në Rripin e Gazës, që kur Izraeli nisi një operacion të madh ushtarak në përgjigje të vrasjes së 1,200 njerëzve në Izraelin jugor nga militantët e Hamasit më 7 tetor.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre tha të martën se zoti Sullivan premtoi mbështetje “të hekurt” të Shteteve të Bashkuara për Izraelin dhe se të dy zyrtarët diskutuan nevojën që Izraeli “të bëjë më shumë për të mbështetur dhe zgjeruar ndihmën humanitare në Gazë”.

“Është kritike që Izraeli të bëjë gjithçka që është e mundur për të parandaluar viktimat në mesin e civilëve dhe për të kryer operacione në mënyrë sa më strategjike dhe të saktë që të jetë e mundur dhe në operacionet e tij ushtarake të ketë si synim mbrojtjen e civilëve në Rafah”, tha ajo.

Presidenti Biden, gjatë një fjalimi në një tubim fushate në Rajli të Karolinës së Veriut, u detyrua të ndalonte për pak kohë për shkak të një grupi protestuesish, që bërtiste mbi nevojën për një rritje të ndihmës humanitare në Gazë.

“Ata kanë të drejtë. Ne duhet të kujdesemi më shumë për Gazën”, tha Presidenti Biden.

Zyrtarët amerikanë janë përpjekur për javë të tëra të negociojnë një marrëveshje, që do të mundësonte lirimin e pengjeve të sëmurë, të moshuar dhe të plagosur, që po mbahen nga Hamasi, në këmbim të një armëpushimi gjashtë-javor dhe lirimit të disa të burgosurve palestinezë.

Një zyrtar amerikan tha të hënën se është bërë përparim gjatë negociatave në ditët e fundit./VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!