Numri i emigrantëve shqiptarë të cilët jetojnë e punojnë prej vitesh jashtë vendit tone është i shumtë në numër, por sa e lehtë apo e vështirë do të jetë për ta nohja e kontributit të pensioneve nga qeveria shqiptare. Kreu i ISSH bën të ditur vendet me të cilët kemi arritur marrëveshje reciproke dhe me ata që jemi në negociata.
Prej disa vitesh qeveria shqiptare ka zhvilluar dhe finalizuar marrëveshje me disa shtete të ndryshme për njohjen e kontributit të pensioneve të mijëra emigrantëve shqiptarë. Vetë kreu i Sigurimeve Shoqërore, Astrit Hado bën të ditur për ABC News se me cilat shtete kemi dakordësi për njohjen reciproke të kontributeve të pensioneve
Astrit Hado, kreu i ISSH: “Të gjithë qytetarët shqiptarë që kanë një periudhë vjetërsie pune në Shqipëri dhe kanë emigruar e punojnë në vende të tjera, në qoftë se nuk plotësojnë 15 vjet vite pune në Shqipëri, hyn në lojë instrumenti i marrëveshjeve qeveritare. Ne aktualisht kemi marrëveshje me disa shtete: Turqi, Gjermani; Hungari; Rumani; Maqedoni; Luksemburg; Belgjikën, të cilat janë në fuqi. Më 1 dhjetor fillon dhe zbatohet dhe marrëveshja me Austrinë. Janë gati dhe dokumentat për tu nëndhkruar me marrëveshjen me Zvicrën, nga pikëpamja teknike është e realizuar e gjitha. Në të njëjtën situatë është dhe marrëveshja me Kanadanë.”
Nga ana tjetër kreu i ISSH tregoi se në çfarë faze jemi në lidhje me procesin për marrëveshjet me Greqinë dhe Italinë, vende në të cilat jeton pjesa më e madhe e emigrantëve shqiptarë.
Astrit Hado, kreu i ISSH: “Për sa i përket fillimit të një marrëveshje me Greqinë dhe me Italinë gjërat janë pak më ndryshe. Me palën greke, për hir të së vërtetës nuk është se kemi një zhvillim të ri. Me palën italiane janë bërë disa takime të karakterit teknik për fillimin e negociatave, por jemi akoma në pritje të dakortësisë apo reagimit të palës italiane.”
Kreu i ISSH deklaroi se qeveria shqiptare pritet të zgjerojë gjithnjë e më shumë hartën e marrëveshjeve për njohjen e kontributeve ku jetojnë emigrantët shqiptarë kudo që ndodhen./abcnews.al