Pengmarrja në Kamëz, shkon në pesë numri i të arrestuarve

schedule09:33 - 29 Janar, 2020

schedule 09:33 - 29 Janar, 2020

Shkon në 5 numri i të arrestuarve në lidhje me pengmarrjen, me pasojë vdekjen e shtetasit Jan Prenga.

Policia dhe sektori për Krimet e Rënda kanë njoftuar se është arrestuar personi i 5, një 30 vjeçar, pasi dyshohet se ka marrë pjesë në pengmarrjen e 49 vjeçarit Jan Prenga në Kamëz.

Jan Prenga i cili rezultonte i zhdukur prej 17 janarit, dyshohet se është vrarë, ndërsa trupi nuk është gjendur ende.

Ditën e djeshme, policia bëri të ditur detaje të operacionit të koduar “Resorti” i nisur të dielën,  ku në pranga përfundoi, Leonard Hajri 36 vjeç, babai i tij Bajram Hajri 64 vjeç, kushëriri Elton Hajri 32 vjeç dhe shoku i tyre Olsi Turja 36 vjeç, të gjithë banues në Shijak.

Njoftimi i Policise: 

“Sektori për Krimet e Rënda në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, në vijim të veprimeve të kryera për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes mbi rrëmbimin e shtetasit J. P., të ndodhur në rrugën “London”, Kamzë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Kavajë, ka bërë ndalimin e shtetasit F. B., 30 vjeç, banues në Kavajë.

Nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera nga Sektori për Krimet e Rënda në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Departamentin e Policisë Kriminale, nën drejtimin e Prokurorisë, dyshohet se ky shtetas, në bashkëpunim me 4 shtetasit e ndaluar më parë dhe me shtetas të tjerë, e kanë rrëmbyer për ta mbajtur peng, shtetasin J. P., më datë 17.01.2020, në Kamzë.

Në cilësinë e provës materiale shtetasit F. B. i janë sekuestruar dy telefona dhe një sasi prej 850 eurosh. Për shkak të rëndësisë së hetimit, nuk bëhen të ditura detaje të tjera.

Sektori për Krimet e Rënda në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë vijon punën për dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje dhe gjetjen e trupit të shtetasit J. P.

Materialet do i kalohen për ndjekje të mëtejshme Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Tiranë, për veprat penale “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit”, “Fshehja ose asgjësimi i kufomës”, “Veprime që pengojnë zbardhjen e të vërtetës”, “Përkrahja e autorit të krimit”, të kryera në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje””./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!