Gjatë një bashkëbisedimi të hapur me banorët e njësisë administrative Dvoran, qarku Korçë, në kuadër të takimeve turit të llogaridhënies publike, ministri Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Niko Peleshi është shprehur optimist për procesin e skemës kombëtare të mbështetjes financiare. Sipas ministrit Peleshi, shumica e aplikuesve janë shpallur fitues.
I ka kaluar parashikimit të, qeverisë skema kombëtare financiare e subvencioneve dhe granteve. Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Niko Peleshi, u tha banorëve të Dvoranit në qarkun Korçë se numri i kënaqshëm i aplikuesve, është dëshmia e një proçesi të rregullt, të thjeshtë dhe shpresëdhënës për ngritjen, fuqizimin dhe modernizimin e ekonomisë rurale në vend.
Niko Peleshi: “Ministria e Bujqësisë sapo ka përmbyllur “Thirrjen” dhe ka marrë aplikimet për Skemën Kombëtare Financiare të Subvencioneve dhe Granteve që ishte 20 milionë euro këtë vit. Pothuasje, gjysma e tyre më shumë se 50% shkon për subvencionet e fermerëve dhe blegtorëve dhe pjesa tjetër shkon në investimet në agropërpunim, magazinim, linja prodhimit. Patëm një numër të lartë, të kënaqshëm aplikimesh, 30% më shumë se vitin e kaluar, edhe sepse ju mund ta konfirmoni, një pjesë e madhe këtu ka aplikuar. Aplikimi ishte shumë i thjeshtë këtë vit, ishte vetëm me kartë identiteti.”
Por, suksesi i kësaj skeme është padyshim shpallja e fitueseve.
Niko Peleshi: “Unë dua t’jua them të gjithë atyre që aplikuan në mollë psh, meqënëse këtu jemi në vendin e mollëve, kanë fituar të gjithë, 100%. Të gjithë ata që shkuan dhe aplikuan për mbjellje të reja për mollë, kanë fituar, pra janë shpallur fitues. Në total pothuajse 90 % e aplikantëve janë shpallur fitues dhe për masat e tjera, siç është vaditja me pika, apo investime të tjera në fermë, apo për matrikullimin, ata që kanë aplikuar për rimbursimin e qumështit, atë 100 lekëshin për litër të qumështit. Pra, numri i fituesve në raport me aplikantët është shumë i lartë këtë vit.”
Ministri Peleshi, ka përsëritur thirrjen për të besuar më shumë në skemat dhe politikat që po ndërmerren. Shumë shpejt, tha ai, do të hapet “thirrja e parë” për Programin IPARD, që do të thotë një mundësi e artë për të gjithë fermerët, agropërpunuesit e blegtorët./abcnews.al