Peleshi-opozitës: Mos i nxini faqen Shqipërisë duke folur për sulmet kibernetike, duhen fonde për forcimin e sistemit

schedule15:34 - 22 Shtator, 2022

schedule 15:34 - 22 Shtator, 2022

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi i është përgjigjur deputetit demokrat Edmond Spaho në Parlament.

Ky i fundit për sulmin kibernetik tha se shtetit tonë “i kanë hequr më shumë se pantallonat.”

Spaho: Sulmet kibernetike, që kur ka lindur kompjuteri, ka pasur sulme të tilla, dhe do të ketë. Por ama ai që ndërton sisteme të tilla merr masa që të mbrohet. Kanë dalë të gjitha të dhënat, të qeverisë, policisë, pronat, shyqyr që nuk pranuan të futesh në E-Albania bankat, se imagjinoni se çfarë do kishte ndodhur, pensionistë, mësues, greva është rruga e duhur për të dhënë dorëheqje qeveria.

Sakaq Peleshi i kërkoi opozitës që mos nxijë faqen e Shqipërisë duke folur për sulmin kibernetik që erdhi nga Irani. Peleshi bëri  me dije se kryeministri Rama ka bërë një status të veçantë për personat që punojnë në fushën e sigurisë kiberentike në mënyrë që të krijohet një qendër ekselence dhe të krijohet një mbrojtje e fortë.

Peleshi: Mos i  nxini faqen vendit tonë. Për qeverinë flisni çfarë të doni, por jo për Shqipërinë. Në fushën digjitale Shqipëria është e para që ka digjitalizuar 95% të shërbimeve. Duhen fonde, duhet suport nga parlamenti për të miratuar një kërcim në buxhetin që duhet të alokojmë në përforcimin e sistemeve tonë. Populli thotë që e keqja nuk vjen vetëm për keq, por edhe për mirë. Ky sulm na ka bërë më të ndërgjegjshëm që duhet të alokojmë më shumë burime njerëzore dhe financiare. Kryeministri ka përgatitur një status të veçantë për të gjithë ata që punojnë në fushën e sigurisë kibernetike për t’i dhënë paga më të larta në mënyrë që ne të marrim më të mirën e më të mirëve. Nuk do kursejmë asnjë qindarkë për të krijuar një qendër ekselence. U tha këtu që sulmi ka ndodhur për shkak se u la dera hapur kur u morën të dhënat nga patronazhistët. Si mund të thuhet në sy të opinionit publik nga burra me kostum broçkulla. Janë broçkulla që bëjnë lojën e fuqive që ishin mbrapa këtij sulmi. Nëse doni të bëni diçka ngrihuni në nivelin e qytetarisë. Duhet të jemi shqiptarë së pari. Keni boll çështje të tjera për t’u grindur, por jo në këto çështje. Sistemet e mbrojtjes nuk janë prekur sepse janë të mbyllura.

/Abcnews.al/ 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!