Peleshi: Frutat dhe perimet shqiptare më të kërkuarat në rajon

schedule12:35 - 28 Tetor, 2018

schedule 12:35 - 28 Tetor, 2018

Frutat dhe perimet shqiptare, sipas ministrit të Bujqesisë dhe Zhvillimit Rural Niko Peleshi, janë më të kërkuarat në rajon. Kjo pasi sipas tij, për shkak të cilësisë që ofrojnë.

Ky është një ndër vitet më të mira të prodhimit të fruta-perimeve në vend dhe eksportit të tyre. Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Niko Peleshi, e bëri të ditur nga Lushnja ku vizitoi disa ferma dhe pika grumbullimi.

Niko Peleshi, ministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural: “Produktet shqiptare janë siç e thashë, gjithmonë e më të kërkuara në rajon. Prodhimet tona sot gjenden në vendet e Bashkimit Evropian, në Suedi, në Çeki, në Itali, në Rumani, Bullgari, Greqi, Zvicër dhe shumë vende të tjera.”

Ministri zgjodhi këtë kompani e cila sipas tij eksporton 10 deri në 12 mijë ton në vit produkte bujqësore dhe bashkëpunon me 40 firma në Ballkan dhe vendet e Bashkimit Europian për të dhënë mesazhin se cilësia e produkteve shqiptare është e garantuar.

“Shkalla e reklamimit është pothuasje e papërfillshme, pra kthimi i prodhimeve tona pothuasje nuk është fare si fenomen, ç’ka do të thotë, se kur një produkt konsumohet në tregjet me standarde shumë të larta, siç janë tregjet e Bashkimit Evropian, padyshim që duhet të konsiderohet i sigurt dhe i garatuar dhe për konsumatorin shqiptar.”

Ministri pranoi se ka edhe fermerë që përdorim pa kriter pesticide dhe kimikate, por sipas tij nuk përgjithësojnë situatën.

“Dua të them, të përmend dhe një fakt tjetër, do t’i ftoja, do t’ju përulesha të gjithë mediave, që jo të mbyllin sytë dhe veshët, para fenomeneve që padyshim ekzistojnë, negative. Të spekullimit të fermerëve të papërgjegjshëm lidhur me trajtimin apo me përdorimin ndonjëherë dhe pa kriter të kimikateve dhe pesticideve, por do t’ju lutesha që t’i bëjmë jehonë lajmit pozitiv.”

Në vendin tonë prodhimi bujqësor jep 20% të Prodhimit të Brendshëm Bruto./abcnews.al