E ka pranuar edhe vetë tashmë që i vëllai është dënuar me 7 vjet e dy muaj burg. Kështu e nis deklaratën e tij Enkelejd Alibeaj nga selia e Partisë Demokratike.
Enkelejd Alibeaj: “Fatmir Xhafaj e pranoi vetë duke thënë se vendimi në fjalë e ka gjetur online”.
Por kjo dalje e tretë përpara mediave brenda pak ditëve është për të nxjerrë ministrin e Brendshëm gënjeshtar dhe për t’i thënë shqiptarëve se ndërkohë që qytetarët burgosen për mospagesën e një fature, Agron Xhafaj mbrohet nga shteti duke mos bërë asnjë ditë burg.
Enkelejd Alibeaj: “Pse? Sepse është i vëllai i ministrit të Brendshëm”.
Të tjera pyetje e mundojnë Partinë Demokratike. Demokratët kërkojnë të dinë përse Agron Xhafaj ka imunitet mbi ligjin, pse nuk zbatohet vendimi për të vuajtur dënimin prej 7 vjetësh e dy muaj burgim, pse nuk vepron Policia e Shtetit.
Për të gjitha këto, ministri Brendshëm hesht sepse ai vetë ka ndihmuar që i vëllai t’i shpëtojë drejtësisë sipas Partisë Demokratike, e cila thotë se e argumenton me të paktën tre prova bindjen. Së pari ministri Xhafaj ka penguar ekstradimin e të vëllait.
Nga pozicioni si kryetar i komisionit të ligjeve, Fatmir Xhafaj falsifikoi dokumetat zyrtare dhe trafikoi në mënyrë të paligjshme në kodin e procedurës penale një dispozitë ligjore për të pamundësuar ekstradimin dhe njohjen e vendimit të gjykatës italiane nga drejtësia shqiptare
Arsyeja e tretë që rendisin demokratët është moszbatimi i ligjit antimafia nga ministri Xhafaj.
E megjithatë, Partia Demokratike ka ende disa paqartësira duke i bërë të tjera pyetje Ministrit Xhafaj.
Ervin Salianji: “A bën ai një jetë normale dhe pa asnjë lloj rekordi negative përballë ligjit, siç ka garantuar publikisht Fatmir Xhafaj?
A e vazhdon Agron Xhafaj aktivitetin kriminal të drejtimit të organizatave kriminale të trafikut të paligjshëm të drogës”?
Pavarësisht pikpyetjeve demokratët një e kanë të qartë dhe e shprehin me bindje.
Enkelejd Alibeaj: “Është e qartë për këdo: sa kohë Ministër i Brendshëm është Fatmir Xhafaj, vëllai i tij, i dënuar për trafik ndërkombëtar droge, nuk do të vuajë asnjë ditë nga dënimi 7 vjet e 2 muaj për trafik droge”./abcnews.al