PD reagon për grabitjen e postës së Prokurorisë së Durrësit

schedule19:07 - 8 Maj, 2018

schedule 19:07 - 8 Maj, 2018

Sipas PD, grabitja e postës sekrete është dëshmi se shteti e krimi janë një i vetëm. Kjo forcë politike kërkon informacion nga prokurorja e përgjithshme dhe Policia e Shtetit për përmbajtjen e postës së grabitur në Durrës.

“Grabitja e postës sekrete në Prokurorinë e Durrësit është një nga aktet më të rënda dhe të paprecedentë në të gjithë historinë e shtetit shqiptar. Nuk ka ndodhur kurrë më parë, as në momentet më kritike të vendit, që të grabiten dokumenta sekretë as natën dhe as ditën. Grabitja e materialeve sekrete për Prokurorinë e Durrësit është dështimi më i madh i rënies së shtetit përballë krimit. Është dëshmia sesi shteti dhe krimi janë një i vetëm! Bashkëpunimi i shtetit me krimin ka arritur në nivele të tilla, saqë krimi i organizuar di jo vetëm përmbajtjen e dokumentave sekrete, por krimi di vendin dhe orën kur ato do të tërhiqen nga korrieri i posaçëm i postës sekrete. Partia Demokratike i kërkon Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme dhe Policisë së Shtetit të informojë menjëherë publikun se cfarë përmbante posta sekrete, kush ishte në dijeni të dokumentave dhe cili ishte institucioni marrës dhe dërgues. A ka lidhje posta sekrete e grabitur me hetime për Kryetarin e Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dakon? A ka lidhje posta sekrete e grabitur me hetimet për trafikun e drogës nëpërmjet Portit të Durrësit? Grabitja e postës sekrete për Prokurorinë e Durrësit është një nga shumë provat se marrja e drejtësisë nën kontrollin e Edi Ramës do të thotë se sot drejtësinë e kontrollon krimi i organizuar. Këtë e provon edhe nxitimi i Prokurorisë së Durrësit për të mohuar rëndësinë e materialeve të grabitura. Deklarat e Prokuroisë është qesharake, sepse grabitësit nuk ja koleksionues të letrave çfarëdo që i shkojnë prokurorisë. Dokumentat e grabitura kanë rëndësi për aktivitetin kriminal të atij që ka urdhëruar grabitjen e tyre”.