PD: Rama shpall qytetar nderi atentatorin e Azem Hajdarit

schedule18:34 - 14 Qershor, 2018

schedule 18:34 - 14 Qershor, 2018

Partia Demokratike publikoi një projek-tvendim në të cilin Kryetari i Bashkisë së Hasit i propozon Këshillit Bashkiak të këtij qyteti shpalljen qytetar nderi të Gafur Mazrekut, i cili në vitin 1997 qëlloi në parlament me arme Azem Hajdarin. Për opozitën ky është një vendim skandaloz pas së cilit qëndron kryeministri Rama.

21 -vjet pasi qëlloi me armë në parlament deputetin Azem Hajdari ,në 18 shtator të 1997, socialisti Gafur Mazreku propozohet të shpallet qytetar nderi nga ana e Këshillit Bashkiak të Hasit, me motivacionin “personalitet, intelektual për kontributin e pashoq në pushtetin vendor”. Dokumenti u publikua nga Partia Demokratike, e cila përmes deputetit Flamur Noka akuzoi kryeministrin Rama se qëndron pas këtij vendimi që e cilësoi skandaloz.

“Dy dekada pas atentatit brenda në Parlament kundër Azem Hajdarit, atentatori, deputeti i Partisë Socialiste në atë kohë, Gafurr Mazreku propozohet nga Edi Rama per t’i dhënë titullin “Qytetar Nderi”.

Nderimi i një deputeti që ka përdorur armën brenda sallës së Parlamentit kundër Azem Hajdarit për demokratët është modeli që kryeministri ka ndjekur që pas ardhjes në pushtet.

“Është modeli që nderon dhe i jep pushtet kriminelëve në parlament, qeveri dhe bashki, siç është rasti i Elvis Roshit, Mark Frrokut, Arben Ndokës dhe të tjerëve si ata. Është modeli që mbron krimin të lidhur me qeverinë, siç është rasti i saimir Tahirit dhe Agron e Fatmir Xhafës”.

Opozita thotë se mbledhja e Këshillit Bashkiak të Hasit për propozimin e kreut të bashkisë është parashikuar të mbahet të hënën.  Por ajo i kërkon kryeministrit të tërhiqet nga vendimi skandaloz që ajo thotë se vret për herë të dytë liderin e lëvizjes së dhjetorit Azem Hajdari. /abcnews.al

 

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!