PD: Rama kërkon të fshehë përfshirjen e Ballës në kërcënimin e Nuhut

schedule12:51 - 5 Tetor, 2018

schedule 12:51 - 5 Tetor, 2018

Sipas PD, kryeministri Rama po fsheh përfshirjen e Taulant Ballës në kërcënimin ndaj ish-oficerit Nuhu. Flamur Noka tha se Policia e Shtetit është urdhëruar nga Rama të mos përgjigjet për praninë e Ballës në Postën e Policisë Fushë Krujë.

 Një pyetje të thjeshtë kanë demokratët prej 10 ditësh.

“A tregojnë kamerat e policisë praninë e Taulant Ballës, Artur Bushit dhe Rrahman Rrajës në zyrën e nënkomisar Emiljano Nuhut?”

Përgjigjen policia e fsheh me urdhër të kryeministrit Rama, sipas demokratit Flamur Noka, me qëllim final…

“Për të mbuluar të vërtetën me heshtje, kërcënime dhe manipulime”.

Këtë qëllim kanë edhe versionet e ndryshme në kërkim të alibisë së numrit dy të socialistëve, theksojnë demokratët.

“Me ndihmën e makinerisë së propagandës së Edi Ramës, Taulant Balla, po bën çdo përpjekje që njerëzit të harrojnë se ditën e parë ai e quajti edhe përdhunimin një “idiotizëm”, se ditën tjetër tha se kishte qenë në një aktivitet publik, pastaj tha se kishte qenë në një inaugurim dhe në fund tha se kishte qenë për peshkim…Në 10 ditë 4 versione të ndryshme për vendndodhjen e Taulant Ballës, i cili u zhyt edhe më thellë me falsifikimin e tabulateve të rreme telefonike që po përhap në media prej mbrëmjes së djeshme”.

Nëse ndonjë prej këtyre versioneve do të ishte i vërtetë, thekson Noka, atëherë Edi Ramën nuk do e ndalonte asgje në publikimin e pamjeve të kamerave, të cilat janë 8 deri 10 sipas nënkomisar Emiljano Nuhut që kanë regjistruar çdo lëvizje të datës 21 korrik. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!