Partia Demokratike ka akuzuar kryeministrin Rama se fsheh si “sekret shtetëror” kontratat përmes të cilave i dhuron klientëve të tij milionat e taksapaguesve shqiptarë.
Ish-deputetja demokrate Grida Duma i ka dhënë zë hetimit të publikuar nga rrjeti investigativ ballkanik BIRN, duke përsëritur akuzën e kontraktimit nga ana e qeverisë dhe fshehjes nga publiku të kontratave me argumentin e ruajtjes së sekretit shtetëror.
”Kur erdhi në pushtet, qeveria e Edi Ramës ka klasifikuar si sekret shtetëror 216 tendera me vlerë miliona euro. Fare pak prej tyre janë të tillë që mund të klasifikohen si sekret, ato të Shërbimit Informativ apo të Prokurorisë.
Qindra tendera të tjerë që Edi Rama fsheh janë pjesë e luksit qeveritar, mirëmbajtje godinash, përfshirë kryeministrinë, shërbime qeveritare apo kontrata që kanë të bëjnë me teknologjinë e informacionit. Pjesë e klasifikimit të kontrave publike si sekret është edhe Autoriteti Rrugor Shqiptar”.
E tillë ishte edhe ajo e Unazës së Madhe nga e cila qeveria u tërhoq pas zbulimit të aferës korruptive, thekson Duma.
“Është skandaloze që tenderat për rrugët apo mirëmbajtjen e tyre klasifikohen si sekret shtetëror. Kjo vetëm shmang llogaridhënien dhe transparencën, duke i fshehur publikut abuzimet dhe shekeljet me ligjin”.
PD e dënon si vjedhje këtë sjellje të agjencive qeveritare që grabisin miliona euro dhe fshehin kontratat duke cënuar konkurencën dhe favorizuar miqtë e Ramës, përfundoi Duma. /ABC News Albania 24/7