Partia Demokratike ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se i ka dhënë 1.5 milionë Dollarë kompanisë së ish-prefektit socialist të Kukësit Safet Gjici për të kryer punime në Universiteti i Durrësit. Por në një reagim Gjici thekson se prej vitesh ai nuk administron asnjë biznes dhe aq më pak të fitojë tendera me fonde publike.
“Qeveria e Edi Ramës është dështim për arkën e parave publike, por jo për xhepin e miqve dhe klientëve të tyre përmes të cilëve shefi i qeverisë synon të blejë zgjedhjet.”
E nis kështu denoncimin Partia Demokratike e cila përmes këshilltarit për ekonominë Dorjan Teliti akuzon kryeministrin Edi Rama se po financon me paratë e taksapaguesve kandidatin e tij në Kukës ,Safet Gjici.
“Me aktin e fshehtë normativ, E
di Rama i ka shkurtuar investimet në arsim, por i ka dhënë Safet Gjicit 1.5 milionë dollarë për një punë, për të cilën ai nuk ka lidhur kontratë me qeverinë, por me Universitetin e Durrësit.
Nëpërmjet kompanisë “Kevin Construction”, Safet Gjici ka lidhur kontratë prej 5 milionë dollarë me këtë universitet, i cili, sipas dokumentave të tenderit, duhej të financohej plotësisht nga të ardhurat e vetë Universitetit”.
Kontrata e lidhur mes Universitetit Aleksandër Moisiu dhe shoqërisë “Kevin Construksion” pas tenderit të fituar nga kjo e fundit, parashikon punime në godinën 2 të Universitetit të Durrësit, me financim nga të ardhurat e Universitetit. Në faqen online të “Spending Data” rezulton se Universiteti “Aleksandër Moisiu” ka kryer transaksione të shumta me kompaninë “Kevin Construction” me qëllim ndërtimin e korpusit dhe kampusit të universitetit në qytetin bregdetar.
Por kampusi i këtij universiteti duket se është parashikuar edhe në aktin normativ që ndryshon ligjin për buxhetin 2018 ku parashikohet financimi i investimit për Kampusin Universitar Durrës, në masën 150 milionë lekë.
“Në Shqipëri janë me dhjetëra projektet që Universitetet kanë kontraktuar me kompanitë private, por Edi Rama ka përzgjedhur të financojë vetëm njërin prej tyre, atë të klientit Safet Gjici”.
Në reagimin e tij pas deklaratave të PD-së, Safet Gjici e quajti opozitën të painformuar.
“E kam thënë e rithënë: Prej vitesh nuk administroj asnjë biznes, jo më të përfitoj tendera. Kjo është lehtësisht e verifikueshme!
Sot, u akuzova, se kam përfituar tenderin për Universitetin e Durrësit. Gënjeshtër fund e krye.
Tenderi për godinën e Universitetit, është realizuar në fillim të vitit 2013, kur në qeveri ishte Partia Demokratike! Madje, kompania që unë administroja dikur, nuk ka marë ende as paratë e punës së bërë”.
Në një kërkim në web faqen e qendrës kombëtare të biznesit rezulton se kompania “Kevin Construction është regjistruar si biznes në vitin 2006 me përfaqësues ligjor dhe ortak të vetëm Safet Gjicin, biznes të cilin ky i fundit ka vendosur t’ia dhurojë Lavdërim Gjicit në Mars të vitit 2014./abcnews.al