PD pyet kryebashkiakun e Vorës: A ke fshehur dënimin në Greqi?

schedule12:03 - 23 Gusht, 2019

schedule 12:03 - 23 Gusht, 2019

Partia Demokratike i ka kërkuar kryeministrit Rama dhe kryebashkiakut të Vorës të japin shpjegime nëse Agim Kajmaku ka probleme të hapura me drejtësinë greke të cilat nuk i ka deklaruar në formularin e dekriminalizimit. Sekretari për çështjet ligjore në PD, Çlirim Gjata kërkoi shpjegime, nëse ka kryer falsifikim dokumentash kryebashkiaku i ri i Vorës.

Me një skenar të ngjashëm me atë të denoncimit të kryebashkiakut të zgjedhur të Shkodrës, Valdrin Pjetri, Partia Demokratike kërkon të nxjerrë nga zyra e kryetarit të Bashkisë së Vorës, edhe Agim Kajmakun. Me pyetje të drejtëpërdrejta për kryeministrin dhe kryebashkiakun socialist, sekretari ligjor i demokratëve kërkoi shpjegime nëse Kajmaku ka dënime të formës së prerë apo dosje të hapura me drejtësinë greke.

Gjata pretendoi se Edi Rama është në dijeni të plotë të dënimit të kryebashkiakut të Vorës, por po përpiqet të fitojë kohë për të falsifikuar dokumentat.

Të martën sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi i kërkoi sektorit të Dekriminalizimit në Prokurorinë e Përgjithshme të nisë verifikimet për kryebashkiakun socialist, Agim Kajmaku duke hedhur dyshime të forta për pastërtinë e figurës së tij. I pyetur nga ABC News,  kryebashkiaku i Vorës Kajmaku ka pranuar se ka ndërruar identitet kur ka jetuar në Greqi, siç edhe e ka deklaruar në formularin e dekriminalizimit. Por  ai mohon të ketë qenë i dënuar apo dëbuar nga ndonjë shtet i Bashkimit Europian dhe i quan akuzat e PD si sulme politike ndaj tij. /ABC News Albania 24/7

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!