PD: Presion me ndihmën ekonomike, do të bëjmë publike provat për Taulant Ballën

schedule21:56 - 26 Shkurt, 2021

schedule 21:56 - 26 Shkurt, 2021

Partia Demokratike vijon akuzat kundër kreut të grupit të PS-së Taulant Balla, që është drejtues politik i socialistëve në qarkun e Elbasanit. Përmes një deklarate, selia blu thotë se ka depozituar prova konkrete se si njerëzit e shtabit të tij intimidojnë personat që marrin ndihmë ekonomike.

“Taulant Balla është mësuar që të bëjë edhe shkelje më të rënda se kjo për të cilën është kallëzuar në SPAK, dhe tja hedhë, sepse ka pasur mbrojtjen e Edi Ramës. PD ka depozituar prova konkrete se si “Shtabi i tij i Peshkut” intimidon personat që marrin ndihmë ekonomike, përmes telefonatave.

Taulant Balla nuk del dot në qytet, dhe nuk mund të shfaqet para qytetarëve për shkak të mashtrimeve elektorale dhe abuzimit me pushtetin, ndaj vepron me metoda presioni ndaj qytetarëve në nevojë. Ne do të bëjmë publike evidencat që kemi dorëzuar në prokurori. Do të merremi me faktet.

Deklaratat që burojnë nga dëshpërimi i humbjes së sigurtë, dhe nga angazhimi që kemi për të hetuar aferat korruptive sapo të vijmë në pushtet, le t’i mbajë për t’u ngushëlluar edhe këto pak ditë që i kanë ngelur. Pas 25 Prillit, Taulant Balla do të jetë një subjekt i drejtësisë, pasi të jetë ndëshkuar me votën masive në gjithë Qarkun e Elbasanit, dhe pasi të mos ketë bablok që e mbron para ligjit” thotë PD./ Abcnews.al