PD: Persona të lidhur me krimin do të hetojnë Presidentin

schedule16:15 - 15 Korrik, 2019

schedule 16:15 - 15 Korrik, 2019

Partia Demokratike ka reaguar për shkarkimin e Presidentit të Republikës nga mazhoranca. Sipas Sekretarit për Çështjet Ligjore në selinë blu Çlirim Gjata anëtarët e Komisionit Parlamentar Hetimor që do të hetojnë kreun e shtetit janë të lidhur me persona te inkriminuar.

Hetimi i Presidentit do të realizohet nga persona që kanë marrë pjesë në shit blerjen e votës e që sot duhet të ishin pas hekurave.

Është ky qëndrimi i Partisë Demokratike i bërë publik nga Sekretari për Çështjet Ligjore Çlirim Gjata.

 “Kush janë personat që do hetojnë presidentin Meta? Ilir Ndraxhi është krahu politik i bandës së Abdulajve, të cilët Abdylajt e kishin vënë në listë. Ky person i vendosur nga kjo bandë do të vendosë për shkarkim të presidentit. Ulsi Manja i dosjes 184 do të hetojë, ku mjafton lidhja e tij me bandat e Dibrës, me shefa komisariatesh e lloj-lloj të tillë të organizuar në krim për te vjedhur vota. Ky njeri do të vendosë?”

Aktorët kryesorë të komisionit janë personazhe të lidhjes apo bashkëpunimit me krimin e organizuar sipas  Çlirim Gjatës.

“Ulsi Manja do hetojë presidentin nëse ka shkelur ligjin apo jo, ndërsa Manjën kush e heton?  Nuk mund të jetë hetues Manja, ai duhet të ishte në burg”.

Presidenti i Republikës nuk ka bërë asnjë shkelje sipas Partisë Demokratike, përkundrazi ka vendosur datë demokratike, ka vendosur dekret normal.

“Shkarkimi i Metës është vetëm propagandë. Rama duhet t’i tregojë popullit se aktorët kryesorë të komisionit për shkarkim të presidentit janë të përlyer në krim”./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!