“PD-së i ka rënë plani”, Dritan Shano: S’ka asnjë dobi për shqiptarët, Dumani duhet t’u japë drejtësi shqiptarëve

schedule18:31 - 20 Dhjetor, 2023

schedule 18:31 - 20 Dhjetor, 2023

SHQIPËRI- Gjykata Kushtetuese vendosi të rrezojë padinë e 30 deputetëve të Rithemelimit e grupit Bardhi, të cilët kërkonin pezullim e masave të sigurisë ndaj Sali Berishës dhe shpalljen antikushtetuese të tyre.
Ekonomisti Dritan Shano i ftuar në “Special Report” në ABC News, tha se Sali Berisha u braktis masivisht në zgjedhjet e 14 majit duke humbur bastionet kryesore, si bashkinë e Shkodrës dhe Kamzës.
Ai theksoi se drejtësia e re në Shqipëri ka “prishur” marrëveshjet mes të majtës dhe të djathtës në Shqipëri dhe në këto kushte, qytetarët presin drejtësi nga organet e reja.

“Ish-kryeministri u braktis në zgjedhjet e 14 majit. Opozitën nuk mund ta ringjalli drejtësia në kuptimin zbatimit të saj, por opozitën e ngjall mbështetja e drejtësisë, pa kushte. Drejtësia po prodhon politikë. Drejtësia ka prishur marrëveshjen që ka ekzistuar mes të majtës dhe të djathtës. Kjo marrëveshja do vazhdojë do prishet deri në rezultate përfundimtare, deri  në pastrimin e politikës. Ngjarja e Shkodrës [humbja në zgjedhjet  14 majit] tregon se shqiptarët e kanë kuptuar këtë gjë”, tha ai.

Ai u shpreh se kreu i SPAK, Altin Dumani, duhet të shpërblejë besimin e qytetarëve, të cilët presin ndëshkim të keqbërësve dhe individëve me apo pa “xhaketë” politike, të cilët kanë abuzuar me ligjin dhe postin e tyre.

“Unë e inkurajoj Dumanin dhe të gjithë njerëzit e tjerë që janë të përfshirë në dhënien e drejtësisë. Drejtësia është për të mbrojtur qytetarët nga politikanët dhe nga këto keqbërës të mëdhenj. Në Shqipëri ka munguar rregulli i lojës. Dumani dhe njerëzit që janë pranë tij kanë të gjithë kurajën nga shqiptarët për t’u dhënë atyre drejtësi”, tha ai.

Për Shanon, i cili është një prej ish-themeluesve të PD, kjo forcë politike nuk përfaqëson më interesin e shqiptarëve. Ai u shpreh se PD mund të cilësohet lehtësisht si një parti, të cilës i ka “rënë plani”.

“Ka një parti të Berishës, biles një shoqatë, dhe ka një parti personale të Bashës dhe asgjë më shumë se sa kaq. PD nuk ka asnjë dobi për shqiptarët. PD i ka rënë plani”, tha ai./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!