PD mbledh Këshillin Kombëtar për kryesinë dhe aksionin opozitar

schedule16:31 - 18 Janar, 2019

schedule 16:31 - 18 Janar, 2019

Partia Demokratike mbledh ditën e shtunë këshillin kombëtar i cili pritet të zgjedhë një numër funksionarësh të rëndësishëm politik dhe funksional të kësaj force politike si dhe zbardhjen e asaj që pritet nga aksioni opozitar në vijim.

Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike pritet të votojë ditën e shtunë ekipin e ri me të cilin kreu i kësaj force politike Lulzim Basha do të përgatitet për zgjedhjet e këtij viti.

Në orën 11 të së shtunës, selia blu do të presë përbërjen e re të Këshillit Kombëtar të demokratëve, të ripërtërirë pas zgjedhjeve të dhjetorit kur Kuvendi Kombëtar zgjodhi 150 delegatët e saj. Pjesë e këtij këshilli janë edhe ata që konsiderohen si kundërshtarë të kreut të kësaj force politike si ish-kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli dhe Eduard Selami.

Këshilli do të zgjedhë me votim të fshehtë sekretarin e përgjithshëm, nënkryetarët e Partisë, sekretarët funksionalë, anëtarët e zgjedhur të kryesisë, komisionin e apelimit si dhe kreun e bordit financiar të partisë.

Për herë të parë, pas ndryshimeve statuore të prillit 2018, këshilli kombëtar do të ketë edhe një kryetar, i cili do të zgjidhet nga vetë Këshilli gjatë mbledhjes së tij të parë.

Bazuar në statutin e Partisë Demokratike, katër janë sekretarët funksionalë që do të ndihmojnë sekeretarin e përgjithshëm në ushtrimin e kompetencave, nga 8 që Partia Demokratike ka momentalisht. Propozimet për sekretarët vijnë nga kreu i kësaj force politike, i cili përcakton edhe fushat që do të mbulojnë.

Nuk dihet ende cilët do të jenë katër sekretariatet, krerët e të cilëve do të zgjedhë ky Këshill ditën e shtunë, por burime pranë kësaj force politike thanë për ABC Neës se sekretari i përgjithshëm dhe katër sekretarët funksionalë nuk do të vijnë nga radhët e deputetëve të Partisë Demokratike.

Si ka paralajmëruar vetë kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha, në përfundim të mbledhjes së Këshillit Kombëtar demokratët do i kenë idetë e qarta lidhur me pjesmarrjen apo jo të deputetëve në parlament, si dhe kohën kur pritet të nisin edhe revoltat popullore që kryedemokrati njoftoi se do të prijë. /abcnews.al