PD heq dorë nga financimi 100% nga shteti, kufizon për 4 vite nga fondet publike donatorët e partive në zgjedhje

schedule15:32 - 3 Mars, 2020

schedule 15:32 - 3 Mars, 2020

Partia Demokratike hoqi dorë nga kërkesa e saj për financim 100% të fushatave zgjedhore nga shteti. Në tryezën politike të reformës zgjedhore, demokratët dorëzuan draftin e tyre të fundit për financimin e partive politike dhe fushatave zgjedhore, ku pavarësisht se u la sërish hapësirë për financimet private, një sërë sanksionesh pritet të jenë barriera për të ndalur sponcorizimet e dyshimta.

“Propozimi që bën opozita e bashkuar është një reduktim drastik i financimit që merret nga burimet private duke e cuar në standarte ndërkombëtare”, tha Bylykbashi.

Në draftin e propozuar nga demokratët, kërkohet që fondi për financimin e partive në zgjedhjet e ardhshme për Kuvendin dhe qeverisjen vendore, të jetë jo më pak se trefishi i buxhetit aktual nga ai i zgjedhjeve të vitit 2017.

Edhe vetë socialsitët janë për një sistem miks të financimit të fushatave zgjedhore, ndonëse nuk e kanë dhënë dakordësi të plotë për masën e financimeve mes privatitt dhe shtetit.

“Çështja që diskutohet është se sa kontribut do ketë nga buxheti i shtetit dhe sa fonde të pavarura. Këtu je i në diskutim dhe po marrim edhe mendimet e ndërkombëtarëve. Ne jemi të një parimi miks siç ka qenë deri tani, duke lënë edhe një tavan të pranueshëm”, deklaroi Gjiknuri.

Demokratët propozojnë kufizime të forta mbi donacionet që vijnë në drejtim të kandidatëve dhe forcave politike nga privatët. Sipas propozimit të tyre, nuk do të lejohen të dhurojnë para për kandidatët apo partitë politike, individë që kanë përfituar nga kontratat shtetërore 4  vitet e fundit me vlerë mbi 10 milionë lekë. E njëjta pengesë do të vlejë edhe për këdo që do të dhurojë para në zgjedhje. Këta individë do të përjashtohen nga marrja e fondeve publike me vlerë mbi 10 milionë lekë për 4 vite.

“Ata nuk mund të financojnë dhe gjithashtu kush financon subjektet politike, nuk mund të marrë për një periudhë të caktuar tendera nga shteti”, tha Bylykbashi.

Një tjetër koncept i ri i futur si risi në draftin e opozitës është “ Pavlefshmëri e mandatit” dhe përfundim i parakohshëm i mandatit nga KQZ-ja për të zgjedhurin ose subjektin zgjedhor, kur shkelja e dispozitave për financimin e partive politike përbën vepër penale.

Në 6 mars, aktorët politikë do të ulen sërish për të disktuar mbi propozimet e ndryshimit të sistemit zgjedhor, të kërkuar me insistim nga opozita parlamentare. Por a do të arrijnë palët të përmbyllin draftin në 15 mars, datën e përcaktuar prej tyre finalizimin e reformës.

Këtë të martë palët u njohën edhe me listat zgjedhore, një shqetësim të hershëm të demokratëve. Kur mijëra mjete identifikimi janë drejtë skadimit, demokratët kanë bindjen se shumë qytetarë nuk do të mund të votojnë dot për shkak të pamundësisë për të pasur mjetet e tyre të identifikimit. /abcnews.al

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!