Partia Demokratike ka vijuar denoncimin e asaj që konsideron standard të dyfishtë të organeve të Vettingut në rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve të Republikës së Shqipërisë.
Këtë radhë ishte gjyqtarja e Apelit Vlorë, Brikena Ukperaj, konfirmimi në detyrë i së cilës solli reagimin e demokratëve të artikuluar nga zëdhënësja e kësaj force politike, Ina Zhupa.
Sipas kësaj të fundit, gjyqtarja Ukperaj edhe pse nuk justifikonte pasurinë, një shtëpi në emër të bashkëshortit dhe një automjet edhe pse është firmëtarja e një vendimi të dyshimtë për aferën e 200 hektarëve tokë në Karaburun, vendim ky i cili favorizonte deputetin socialist Fidel Ylli, u konfirmua nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit pasi ajo do të shpallet kandidate për Këshillin e Lartë të Gjyqësorit, si pjesë e planit të kryeministrit Rama për kapjen e sistemit të drejtësisë./abcnews.al