Përfaqësuesi ligjor i Partisë Demokratike Ivi Kaso ka depozituar pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve një listë me emrat e kandidatëve të kësaj force politike, pjesë e listave shumë-emërore, të cilët kanë firmosur një dokument përmes së cilit njoftojnë heqjen dorë nga marrja e mandatit të deputetit. Kjo lëvizje vjen pas ftesës që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i bëri kandidatëve të partive politike të cilëve sipas kodit zgjedhor u kalon mandati, pas dorëheqjes së deputetëve të opozitës.
Kështu pas thirrjes së ndërkombëtarëve krahas Myslym Murizit dhe Rudina Hajdarit, listës që kandidatëve që kanë pranuar marrjen e mandatit sipas burimeve nga selia blu, i janë shtuar edhe emrat e Ligoraq Karamelos dhe Erion Picirit.
Ndërsa tek lista e LSI, mësohet se kandidatët Ylli Shehu, Aurora Mara dhe Enver Rroshi kanë dorëzuar pranë KQZ formularin e vetdeklarimit. Por edhe nga kjo forcë politike nga listat shumëemërore prej 17 kandidatësh deri tani vetëm 11 kanë deklaruar dorëheqjen.
Sa i përket aleatëve të demokratëve, Agron Duka nga Partia Agrare Ambientaliste ka dorëzuar dorëheqjen ditën e premte, ndërsa Nard Ndoka i PDK-së, pas kthimit nga udhëtimi jashtë kufijve, pritet të të zyrtarizojë vendimin e tij ditën e hënë./abcnews.al