PD denoncon kompaninë e baxhanakut të kryeministrit Rama

schedule12:23 - 28 Gusht, 2018

schedule 12:23 - 28 Gusht, 2018

Në pesë vite, kryeministri Edi Rama sipas Partisë Demokratike i ka dhënë baxhanakut të tij 27 tendera me vlerë mbi 15 milionë euro. Nënkryetarja e Komisionit Parlamentar të Ekonomisë, Jorida Tabaku, ka publikuar dokumentet, të cilat tregojnë se garat ku pjesëmarrëse ka qenë kompania e të afërmit të shefit të qeverisë kanë qenë një farsë.

“Firma ABS që Partia Demokratike po denoncon sot,  jo rastësisht është e lidhur me familjen e kryeministrit, ka mundur të përfitojë 15.6 milion euro tendera nga shtatori 2013 deri më sot. Kompania “Advanced Business Solution” zotërohet në bashkëpronësi nga baxhanaku i kryeministrit Armand Frangu, i cili së bashku me kompaninë B360 marrin pjesë gjithmonë në të njëjtat tendera, gjithmonë duke ndarë përfitimet me njëri-tjetrin. Si rregull për ta bërë garën në dukje të ligjshme, por nga ana tjetër është thjesht vetëm një farsë. Në tenderin e fundit të ofruar nga OSHEE me një vlerë prej 1.94 mld lekësh (të vjetër) kompania ABS ka pasur ofertën më të lartë dhe përsëri ka fituar. Ndërkohë që kompania B360 shpk ka marrë pjesë në këtë tender si spectator.Tenderi më i fundit i marrë nga kompania e tij nga AKSH-i, ka një vlerë prej 1.56 miliardë lekësh dhe përsëri ka fituar oferta më e lartë.”

Abuzimi me tenderat publik që faktohet nga ky rast sipas deputetes Tabaku është reflektuar dhe në raportin e Gjykatës së Auditit të Bashkimit Europian sipas të cilit 1 në 3 tendera në vendin tonë jepet pa garë.

 “Jo vetëm kaq, shembulli i kompanisë së baxhanakut të Ramës, dëshmon edhe raportimet e Departamentit Amerikan të Shtetit që thekson se “Raportet e korrupsionit në prokurimin e qeverisë janë të zakonshme. Vetëm për vitin 2017 sipas të dhënave publike të disponueshme online nga Agjensia e Prokurimit Publik, 1281 ose 26% të tenderave të prokuruar, janë dhënë me ofertën më të lartë. Kjo i ka kushtuar buxhetit të shtetit 41 milionë euro, që mund të ishin përdorur për ndihmën ekonomike, që  mund të ishin përdorur për mirëmbajtjen e të gjitha rrugëve në Shqipëri. Prokurimet publike janë dëshmi e qartë e dështimit të turpshëm dhe vjedhjes së hapur që një qeveri e korruptuar ka prodhuar nga shtatori i vitit 2013 e deri më sot. Tenderat që i shpërndahen oligarkëve, ofiqarëve të PS-së, të inkriminuarve që mbajnë me oksigjen deputetët e mazhorancës dhe së fundi familjen e kryeministrit, janë një provë e rëndë për krimin që po kryhet me tenderat publik në Shqipëri.”

Partia Demokratike deklaroi nënkryetarja e komisionit parlamentar të ekonomisë angazhohet të ndryshojë ligjin e koncesioneve ate të partneritetit publik privat dhe prokurimeve dhe që çdo tendertim abuziv ta çojë përpara ligjit./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!