Pas kthimit të ligjit për tatimin mbi të ardhurat me dekret presidencial, me arsyetimin se krijon lehtësira fiskale për bizneset e lojrave të fatit, Partia Demokratike përmes deputetes Fatbardha Kadiu ka akuzuar edhe njëherë qeverinë dhe kryeministrin Rama për favorizim të biznesit, të cilin u përbetua ta largonte.
“Pikat e basteve janë katërfishuar, sepse qeveria e Edi Ramës ka vendosur të zgjerojë biznesin, me të cilin iu mburr shqiptarëve se do ta mbyllte. Në 2013 ato ishin 928, sot numri i tyre e kalon 4230 pika bastesh, bixhozi dhe kazinosh. Vetëm në vitin 2017, shqiptarët kane lënë 132 milion euro ne bixhoz”.
Nismëtare e kohës, për atë që në 2015-n u pagëzua me emrin “Fundi i Marrëzisë” dhe konsistonte në mbylljen e pikave të lojërave të fatit në rrugët e qytetit dhe lejimin e tyre vetëm në periferi, Ministria e Financave, ka mbështetur kërkesën e ardhur një muaj para hyrjes në fuqi të ligjit, nga deputetët e mazhorancës Ervin Bushati, Ervin Koçi, Blerina Gjylameti, Luan Duzha, Ylli Shehu dhe Tahir Mihedini të cilët kërkuan shtyrjen e zbatimit të ligjit deri në 31 Dhjetor të 2018-s.
“Ky operacion përfundoi të ishte vetëm një marrëzi e pafund. I vetmi sektor ku qeveria bën lehtësira, që kur ka ardhur në pushtet, është sektori i bixhozit. Kjo është e vërteta që Ministria e Financave, tinëzisht, po kërkon të mbulojë, duke kanalizuar aferën korruptive të lojërave të fatit në një diskutim teknik, pa u thënë shqiptarëve pse e shtyn zbatimin e ligjit prej 3 vjetësh”.
Sot janë ndryshimet ligjore në paketën fiskale lidhur me ktë kategori biznesi ato që për demokratët vijojnë favorizimin e këtij sektori.
“E vërteta është se ndryshimet ligjore favorizojnë Lotarinë Kombëtare, kompani e cila do të përfitojë nga lehtësitë në taksim, njësoj siç përfitojnë bizneset e tjera të bixhozi që nga viti 2015”.
E gjitha kjo, theksojnë demokratët, në një kohë kur biznesin e vogël e fut në skemën e TVSH-së, faturën e ujit e rrit me 40%, atë të energjisë elektrike me 30% dhe shpenzimet e biznesit me 23%./abcnews.al