Paralelisht me kuvendin, opozita e bashkuar e bëri oponencën e saj për buxhetin 2019, në një tryezë me grupe interesi. 2019-ta nuk pritet të sjellë asnjë përfitim sipas opozites, e cila e quajti situatën ekonomike të krijuar nga kontratat e Partneritetit Publik Privat, si skemën piramidale më të rrezikshme ndonjëherë.
Paralel me seancën parlamentare për miratimin në parim të buxhetit 2019, opozita e bashkuar mbajti takimin me grupet e interesit për problemet që ky projekt-buxhet shfaq sipas saj.
Me devizën “buxheti që vjedh njerëzit dhe pasuron oligarkët, deputetët e pakicës parlamentare, opozitarizmin ndaj projekt-buxhetit paraqitur në parlament e strukturuan në disa shtylla kryesore, që përkasin edhe me sektorët prioritarë për investim, sipas tyre.
Buxheti – infrastruktura – bujqësia – shëndetësia – arsimi – buxheti social prej vitit 2014 e deri tek parashikimet e buxhetit të ri 2019 nuk shënojnë asnjë rritje të qënësishme, kjo pasi paratë e taksapaguesve shqiptarë, sipas demokratëve, Rilindja i shpenzon në konçesione korruptive të Partneritetit-Publik-Privat.
Shqetësimin lidhur me mos-përfshirjen në borxhin publik të parave që do të nxirren çdo vit nga buxheti i shtetit për të paguar 14 kontratat e Partneritetit Publik Privat për 13 vite radhazi, pas Fondit Monetar Ndërkombëtrar e artikuloi edhe Banka e Shqipërisë, theksoi ish-kryeministri Berisha i cili projektit “1 miliard” i hoqi një paralele të njohur për shqiptarët.
“Cilido që i hedh sytë konstaton që është kapelë e një piramide, piramidë shumë më e rrezikshme se ato që kaluam në që i ngritën banda kriminelësh”.
1,5% është sot rritja reale ekonomike, vetëm 0.5% më shumë se rritja ekonomike e gjeneruar nga dy investimet më të mëdha në vend, TAP dhe Kaskada e Devollit.
“A ka menduar qeveria se si t’i zëvendësojë këto investime? Borxhi Publik ka mbërritur në 83 përqind, sepse kemi një buxhet jashtë buxhetit, për shkak të PPP-ve, që janë jashtë buxhetit dhe jashtë kontrollit. Sistemi bankar është pothuajse në kolaps”.
Për bujqësinë, sektorin më të rëndësishëm të zhvillimit ekonomik në vend, Rilindja rezervon më pak se sa paguan për 1 kilometër rrugë të Unazës së Re, theksoi ish-ministri i bujqësisë Agron Duka.
“E gjithë bota e subvencionon qeverinë, kurse tek ne subvencionimi është vetëm 20 mln euro. Një fond i pamjaftueshëm që s’pasqyron rritje. Kjo shifër është 1 km rrugë me koston e Rilindjes. Mëkat i madh që bujqësia subvencionohet me 1 km rrugë. Mendoni se në zonat rurale jetojnë 460 mijë familje fermere. Nëse ne pjesëtojmë shifrën me numrin e familjeve fermere, na del 45 euro për familje. Mendoni nëse disbursohen plotësisht, kur ato disbursohen vetëm 5-10 %. Mendoni çfarë suvencionimi i bëhet bujqësisë. Subvencionime që sipas statistikave janë 10 herë më të ulëta sesa në Kosovë dhe 12 herë më të ulëta sesa në Maqedoni”.
Diskutime thuajse-boshe këto për aleatin e demokratëve Dashamir Shehi, i cili propozimin e tij për projekt-buxhetin 2019 e bëri konkret.
“Në qoftë se punëtorët shqiptarë do të marrin gjithë jetën 200 euro atëherë të gjithë do largohen nga Shqipëria. Ne vazhdojmë të jemi akoma kombi me rritjen më të lartë në lindje, por këtu ikin njerëzit, ky është problem i ynë. Nuk mund të kuptojë një indian dhe kinez i FMN-së se pse ikin shqiptarët nga Shqipëria. Ne duhet t’u dalim për zot”.
Në takimin që zgjati mbi dy orë opozita mori mbështetjen e përfaqësuesve të grupeve të interesit të prekur nga buxheti 2019 si dhoma amerikane e tregtisë apo shoqatat e bizneseve, të cilat deklaruan se do të ngrihen në protesta për të ndaluar aplikimin e kasave të reja fiskale./abcnews.al