PD akuza Ramës për pronën publike/ Çupi: 19 mln euro dëm

schedule11:47 - 10 Gusht, 2018

schedule 11:47 - 10 Gusht, 2018

Partia Demokratike akuzon qeverinë se ka përdorur pronën publike për interesa klienteliste. Ndërkohë deputetja Dhurata Çupi shigjetoi Prokurorinë, e cila sipas saj nuk heton qeveritarët e korruptuar.

19 milionë euro është dëmi i shaktuar nga qeveria me pronën publike. Denoncimi vjen nga Partia Demokratike. Deputetja Dhurata Çupi i referohet të dhënave të Kontrollit të Lartë të Shtetit, ndërkohë shigjeton edhe organin e akuzës.

“Me një dëm prej 19 milionë eurosh, qeveria e Edi Ramës është sjellë si pushtuese me pronën publike, duke e dhënë atë apo tjetërsuar sipas interesave të saj mafioze, korruptive dhe klienteliste.

Për vitin 2017 Kontrolli i Lartë i Shtetit ka depozituar në prokurori kallëzime penale për 129 persona në pushtetin qëndror dhe lokal, por, fatkeqësisht, nga prokuroria nuk ka asnjë raportim sa nga zyrtarët e qeverisë ka çuar para gjykatës për shpërdorim detyre dhe abuzim me pronat, duke i tjetërsuar ato në shkelje të ligjit, pa transparencë dhe pa garë të drejtë e të barabartë”

Partia Demokratike do të kryejë një analizë të plotë për pronat e grabitura këto pesë vite, sipas deputetes Çupi dhe do të angazhohet për të krijuar një regjistër të plotë elektronik që do të vihet në shërbim të kompensimit të pronarëve të ligjshëm. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!