Partia Demokratike ka akuzuar KQZ-në për mungesë transparencë pasi 4 ditë pas 30 Qershorit ende nuk ka publikuar rezultatet e zgjedhjeve vendore. Sekretari i Përgjithshëm Gazment Bardhi bëri të ditur se PD do bëjë kallëzim penal ndaj anëtarëve të KQZ që kanë shkelur ligjin.
Këta katër persona janë nën akuzë nga Partia Demokratike.
“Denar Biba me 3 persona në KQZ janë përgjegjës direkt për zbatimin e skemës piramidale të manipulimit të numrit të votuesve më 30 Qershor”.
Sekretari i përgjithshëm i Partisë Demokratike Gazment Bardhi bën përgjgjës Kryeministrin Edi Rama si urdhërues për të deklaruar pjesëmarrje të rremë në favor të interesit politik të Partisë Socialiste.
“Rreth 280 mijë fletë votimi u hodhën në kuti për zbatimin e skemës. Edi Rama urdhëroi skemën, Denar biba, KZAZ dhe QV e zbatuan”.
Për të mbuluar këtë krim dhe për të mos lënë gjurmë sipas demokratëve Komisioni Qendror i zgjedhjeve zhduku transparencën tradicionale të këtij institucioni.
Nuk hodhi të dhënat e pjesëmarrjes në sistemin online të të dhënave për të mos lënë gjurmë dhe nuk publikoi asnjë tabelë me rezultatet e votimit për çdo qendër votimi.
“Votimet me 1 kandidat dhe të paligjshme kanë përfunduar prej 4 ditësh, por Denar Biba me grupin e tij të krimit, si asnjëherë më parë, nuk kanë publikuar asnjë të dhënë për qendrat e votimit për asnjë bashki. Kjo është e paprecdentë”.
Partia Demokratike ka vendosur të bëjë kallëzim penal duke nisur nga Denar Biba dhe duke përfunduar tek çdo pjesëtar tjetër i administratës së Komisionit që sipas demokratëve kanë marrë pjesë në një krim masiv elektoral.
./ABC News Albania 24/7