Pavarësisht rrezikut të ndalimit, TikTok arrin 150 milionë përdorues në SHBA

schedule20:48 - 22 Mars, 2023

schedule 20:48 - 22 Mars, 2023

Pavarësisht presionit për ndalimin e Tik Tok, përdorimi i aplikacionit po rritet në Shtetet e Bashkuara, ku sipas një raporti të fundit ka arritur në 150 milionë përdorues aktivë mujorë, ndërsa në vitin 2020 kishte 100 milionë.

Shifra e zbuluar nga kompania është publikuar në internet nga Reuters, disa orë para dëshmisë së CEO Shou Zi Chew, i cili të enjten pritet të dalë përpara Komitetit të Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA për Energjinë dhe Tregtinë.

Aplikacioni përballet me presion nga Uashingtoni dhe shumë qeveri perëndimore kanë vendosur ta ndalojnë atë në pajisjet qeveritare.

TikTok ka mbi 1 miliard përdorues aktivë mujorë në mbarë botën (të dhënat që nga shtatori 2021) dhe është bërë një mjet që ndikuesit dhe krijuesit nga e gjithë bota të fitojnë dhe të bëhen të njohur.

Ceo i aplikacionit do të jetë në Uashington këtë javë për të protestuar kundër çdo vendimi përfundimtar të ndalimit. Rritja në SHBA është një shenjë e popullaritetit të madh të aplikacionit, veçanërisht në mesin e të rinjve amerikanë.

Javën e kaluar, TikTok tha se administrata Biden u ka kërkuar pronarëve të saj kinezë që të heqin aksionet e tyre në aplikacion ose përndryshe mund të përballet me një ndalim të plotë nga Shtetet e Bashkuara. Firma kineze tha gjithashtu se kishte shpenzuar më shumë se 1.5 miliardë dollarë në përpjekjet për sigurinë e të dhënave dhe mohoi akuzat për spiunazh. /abcnews.al