Pau Gasol shkëlqen në NBA, pavarësisht moshës 37-vjeçare

schedule13:54 - 24 Dhjetor, 2017

schedule 13:54 - 24 Dhjetor, 2017

Pau Gasol tregoi se mbetet një nga lojtarët më të mirë në basketbollin amerikan. Veterani spanjoll u tregua përcaktues në fitoren e San Antonios.

Mosha ikën, por klasi mbetet.
Pau Gasol mund të jetë sot 37 vjeç, fazë e jetës aspak e favorshme në basketbollin e ashpër amerikan, por sërish është në gjendje të bëjë diferencën.
Në mos gjithnjë, të paktën herë pas here, siç ndodhi në Arenën e Sakramentos ku ishte ai që siguroi fitoren e San Antonios, 108-99.
Në mungesë të yllit kryesor, Leonard, ishte spanjolli që bëri gjithçka mirë, duke realizuar një tripëll dabëll.

Jo edhe aq shumë pikë, vetëm 14, por 11 topa në tabela dhe 10 pasime për kosh, duke qenë edhe shumë I saktë në gjuajtje.
Trajneri Greg Popoviç e la veteranin jo më shumë se 30 minuta në parket, por edhe kaq I mjaftoi Gasolit për të shkëlqyer.
Ai luajti, madje, edhe më mirë sesa Lamarkus Olldrixh, që është udhëheqësi I ekipit në mungesë të Leonardit.

Shtatlartë 2 metra e 13 centimetra, spanjolli tregoi se meriton çdo cent të rrogës prej 7.5 milionë dollarësh në sezon, dhe po ashtu se mbetet I aftë për të konkurruar në nivelet më të larta.
Me mbi 20 000 pikë të shënuara, ai është një nga basketbollistët më të mirë të NBA-së në të gjitha kohët, ndërsa ka shkëlqyer edhe me kombëtaren e Spanjës.
Gasol ka dalë kampion I botës, tri herë kampion I Europës, dy herë nënkampion olimpik, ndërsa është përzgjedhur katër herë në formacionin e yjeve në NBA./abcnews.al