Patozi: Secili ka 21 janarin e vet, për ti përplasur historinë në fytyrë kundërshtarit

schedule17:24 - 21 Janar, 2020

schedule 17:24 - 21 Janar, 2020

Kryetari i Bindjes Demokratike, Astrit Patozi ka kujtuar nëntë vjetorin e 21 janarit ku humbën jetën katër persona.

Patozi në mesazhin e tij thekson se secili ka zgjedhur 21 janarin e vet, jo për të respektuar vlerat dhe parimet që mbron, por për t’ia përplasur historinë në fytyrë kundërshtarit.

Gjithashtu në reagimin e tij në rrjetet sociale kreu i Bindjes Demokratike shkruan se në 100 vjetorin e Kongresit të Lushnjes, një ditë që duhet të shihet me krenari ka kuptim vetëm për  nxënësit e fillores, sepse gjithë të tjerët e krahasojnë me parlamentin e sotëm dhe ulin kokën.

Postimi i Patozit:

Secili ka zgjedhur 21 janarin e vet

Secili ka zgjedhur 21 janarin e vet, jo për të respektuar vlerat dhe parimet që mbron, por për t’ia përplasur historinë në fytyrë kundërshtarit. Madje edhe kur flitet për një vdekje të qetë në shtrat si ajo e themeluesit të shtetit të Kosovës, Ibrahim Rugova, sërish kihet parasysh armiku i sotëm.

Do të mjaftonte kjo ndarje preferencash përkujtimore dhe rrëfimet diametralisht të kundërta të “veteranëve” për ta ndjerë veten të turpëruar si shqiptarë. Në këtë ditë krenaria për Kongresin e Lushnjës do të kishte kuptim vetëm për nxënësit e fillores, sepse gjithë të tjerët do ta krahasonin automatikisht me parlamentin e sotëm dhe do të ulnin kokën.

100 vjet janë tmerrësisht shumë për të mos nxënë se në një vend normal patriotët dhe tradhtarët nuk e emërojnë vetë njëri-tjetrin dhe se engjëjt apo djajtë e kulluar nuk ekzistojnë.

Por mbi të gjitha, se askush nuk do të gjykohet nga ato që thotë për veten dhe për ata që ka përballë, por vetëm për atë që ka bërë për popullin e vet. Dhe kjo vlen për 21 janarin dhe për çdo datë tjetër me të kuqe apo me të zezë të kalendarit tonë.

Koha ikën shpejt dhe ajo është gjithmonë e pamëshirshme gënjeshtarët./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!