Patozi i përgjigjet Bashës: Pse të mos distancohemi edhe nga korrupsioni

schedule22:12 - 6 Mars, 2018

schedule 22:12 - 6 Mars, 2018

Ka reaguar Astrit Patozi pas deklaratave të kryetarit të PD, Lulzim Basha. Në një mesazh në FB, drejtuesi i lëvizjes për ringritjen e Partisë Demokratike i referohet kërkesës së Bashës për distancimin nga krimi e trafiku i drogës dhe shkruan:

“Pse të mos distancohemi, gjithashtu, nga korrupsioni me çdo tender, që kemi kaluar nëpër duar, nga thasët me euro për çdo leje ndërtimi dhe për çdo gjë, që kemi firmosur, nga pallatet tona dhe të fisit të gruas në vite, nga bizneset me dhe pa emër, nga kompanitë brenda dhe jashtë vendit, off shore ose jo, nga shitja dhe blerja e mandateve politike të Partisë Demokratike, si dhe nga çdo abuzim tjetër me pushtetin, që mund të mos më vijë ndërmend tani.”

Më tej Patozi shton se mund të shtohen si kushte edhe mashtrimi, gënjeshtra, hipokrizia, besëprerja, pabesia, skuthëria, ligësia, pashpirtësia, papërgjegjshmëria dhe paturpësia, cilësitë e (pa)përshtatshme të një demokrati të ri. Patozi e mbyll mesazhin me një ftesë: “Thjesht për të freskuar kujtesën, Lulzim, kemi hyrë në të njëjtën ditë në parlament, por rrugën që nga ajo kohë e kemi pasur shumë të ndryshme. Nëse je gati, Lulzim, që ta nisim ballafaqimin për çdo sekondë të aktivitetit tonë politik, të pres me padurim në çdo ekran, portal, gazetë.”/abcnews.al