Astrit Patozi ishte i ftuar në ABC News këtë të martë ku foli rreth partisë më të re në vend, Bindja Demokratike. Ai u shpreh se Bindja ka lindur nga nevoja që ka shoqëria për të ndryshuar sistemin dhe bazamenti i saj është vota, ku njerëzit mund të zgjidhen dhe të zgjedhin lirisht.
“Ne kemi ecur me bindjen se Bindja Demokratike ka lindur nga nevoja që ka shoqëria për të dalë nga partitokracia. Nismëtarët menduan që ne të kishim një bord që të drejtojë partinë dhe të udhëheqë partinë derisa të krijohen forumet. Ne menduam se kjo ishte forma më e mirë dhe ne do shkojmë te themeli. Bazamenti i kësaj partie është vota. Ne duam që të tregojmë se si qeveriset Shqipëria ndryshe dhe njerëzit zgjidhen dhe zgjedhin lirisht, që që mungon totalisht në partitë tona”, tha ai në emisionin “Mbrëmje ABC “.
Edhe pse nuk është e lehtë, sipas Patozit nismëtarët e kësaj lëvizjeje nuk janë pa eksperiencë. Sipas tij, sot shumë faktorë në shoqëri po kërkojnë ndryshimin e sistemit që favorizon partitokracinë. Patozi mendon se duke ushtruar presion mbi qeverinë, Rama do të detyrohet ta bëjë.
“Ne e dimë që kjo nuk është një ndërmarrje e lehtë. Shumë prej nesh, por edhe unë që jam këtu kemi eksperiencën e duhur për të njohur bazamentin e këtij sistemi. Ne e dimë që jemi në mes të një xhungle politike ku këta predatorët janë sy e veshë. Ka një rezistencë nga aktorët kryesorë nga përfituesit kryesorë të këtij sistemi që janë kryetarët e dy partive më të mëdha. Ne mendojmë që duke rezistuar përballë tyre dhe duke dhënë një model të ndryshëm në mund ti mundim dhe i rrëzojmë ata. Sot ka shumë më tepër aktorë mediatikë që flasin për emergjencën kombëtare për ndryshimin e këtij sistemi të mbyllur që favorizon partitokracia. Ne mendojmë që presioni mbi qeverinë dhe opozitën zyrtare është rritur. Unë për vete kam vite që flas për këtë gjë, por sot që jemi përballë kësaj krize janë shumë më tepër zëra. Do të thotë që qeveria e ndjen këtë gjë. Ne mendojmë se presioni i shoqërisë që jo domosdoshmërisht do vijë nga parlamenti. Unë besoj që edhe ky parlament me këtë konfiguracion të vështirë ka mundësi që ta ndryshojë këtë sistem, sigurisht nëse do dojë Edi Rama se nëse nuk do ai nuk do të bëhet kurrë. Edi Rama do detyrohet ta bëjë, jam i sigurtë që do e bënte vite më parë nëse opozita do të kishte vullnet, e cila ka munguar. Një nga problemet më të mëdha që kam me Bashën dhe lidershipin e tij është ky që në asnjë çaste të vetëm që opozita zyrtare nuk ka bërë asnjë artikulim të vetëm që e donte të ndryshëm sistemin”, tha Patozi./abcnews.al