Kryetari i Partisë Bindja Demokratike, Astrit Patozi ka reaguar në lidhje me zhvilliemt e fundit politike në vend në lidhje me reformën Zgjedhore.
Patozi përmes një postimi në rrjetin social Facebook, bën me dije se me çfarëdo sistemi zgjedhore apo heqjes së koalicioneve, thekson se do të marrë pjesë në garën zgjedhore.
Ndër të tjera ai shkruan se Lulzim Basha dhe Edi Rama e kanë bërë më të lehtë, kur ata “filluan dashurinë nga e para” nëpërmjet përfaqësuesve të tyre në Këshillin Politik.
Koha punon për ndryshimin
Edhe po ngeli ashtu siç e vendosi Komiteti Politik, edhe po u bë siç po e kërkon Myslim Murrizi, por edhe po u gjet një rrugë e mesme më e pranueshme për të ashtuquajturën reformë elektorale, ne, në të gjitha rastet, do të shkojmë në zgjedhje.
Me koalicione, pa koalicione, me prag të ulët, apo me prag të lartë, me lista të hapura, apo pa lista fare, sido që ta bëjnë, ne prapë aty do të na kenë, tek kutitë e votimit, të gatshëm për t’u votuar dhe provuar.
Madje edhe sikur të çmenden fare dhe ta shkruajnë në kushtetutë që në Shqipëri nuk lejohet të garojnë forca të tjera politike, përveç Partisë Socialiste, Partisë Demokratike dhe LSI-së, si shoqëruese misi e njërës nga të dyja, sipas radhës, ne sërish do të marrim pjesë.
Sepse jemi të bindur se vetëm me votë mund t’u imponohemi pengmarrësve të lirisë së zgjedhjes në Shqipëri, të cilët nuk kanë lënë gur pa lëvizur dhe rreng pa organizuar prej kaq e kaq vitesh që të mos heqin dorë nga monopoli i tyre politik.
Jo për gjë, por nuk dimë të ketë ndonjë mënyrë tjetër për ta ndryshuar rendin e gjërave në një vend demokratik.
Ky është një vendim i formës së prerë, i cili nuk ka lidhje me debatin e këtyre ditëve për listat e hapura e aq më pak mund të kushtëzohet me produktin përfundimtar, që do të votohet në parlament, si reformë ose jo.
Sepse ne nuk e konsiderojmë reformën zgjedhore si një kostum, që duhet të pritet sipas masës së trupit tonë, siç po bëjnë shumë të tjerë, dhe hajde o burra të kapim ndonjë copë në tavolinë apo poshtë saj.
Tek e fundit, zoti Luli Basha dhe zoti Edi Rama na e kanë bërë më të lehtë ndarjen e mendjes, kur vendosën përmes përfaqësuesve të tyre në Këshillin Politik që t’i lënë pas krahëve luftërat dhe mëritë e vjetra dhe ta fillojnë edhe një herë dashurinë nga e para. Më keq se aq nuk mund të kishte, por ne jemi të përgatitur edhe për atë.
Ndërsa çdo gjë tjetër që mund të prodhojë rihapja e debatit për reformën zgjedhore, jemi të sigurt se vetëm mund ta ndryshojë për mirë gjendjen paraelektorale në Shqipëri për të vendosur një minimum rregullash të pranueshme dhe për të dhënë disa garanci më shumë për çdo garues, që do të futet në zgjedhjet e ardhshme.
Ndaj asnjë shqetësim për debatin dhe prognozën e reformës zgjedhore, që nuk ka fallxhor ta dijë si do të përfundojë. Sepse më e keqja ka kaluar dhe humbjen e kemi në xhep, edhe sikur të miratohet ashtu siç është marrëveshje-dakordësimi i Damianit me Oerdin. Ne prapë do t’ia dalim.
Ndaj edhe të gjithë ata individë apo grupime shoqërore, të cilët janë prononcuar kundër statuskuosë dhe kastës së vjetër politike, nuk kanë asnjë arsye të hezitojnë apo të dekurajohen, çfarëdo që të ndodhë nesër me reformën zgjedhore.
Përkundrazi. Koha punon për ndryshimin./abcnews.al