Pati dhe qindra fëmijë, trupat e të zhdukurve në diktaturë “peng” i institucioneve, Manja: S’e di pse hezitojnë

schedule20:25 - 27 Nëntor, 2021

schedule 20:25 - 27 Nëntor, 2021

Emisioni VETTING/ Nga Luljeta Progni

Ministri i drejtësisë na njeh me një çështje të familjarëve të të zhdukurve me forcë në komunizëm që ka mbërritur në zyrën e tij. Një qytetare që ka nisur proces hetimor për zhdukjen e të atit gjatë diktaturës komuniste. Është ndër ato raste që e shpjegon ekzaktësisht refuzimin e  Prokurorisë për të kryer rolin ligjor për kërkimin dhe gjetjen e të zhdukurve me forcë gjatë diktaturës.

Vitet kaluan dhe ja ku jemi pas 30 vitesh kur shumica e xhelatëve të diktaturës kanë vdekur. Ata jetuan këto vite të pluralizmit pa asnjë shqetësim për krimet që kishin kryer e as u detyruan prej ndonjë institucioni të tregojnë vendin ku groposën viktimat. E megjithatë, ministri i drejtësisë beson se nuk është vonë sepse ka ende prova.

Ndërkohë që institucionet shqiptare përballen me njëra tjetrën në zvarritjen 30-vjeçare për gjetjen e të zhdukurve, në Kosovë ka avancuar procesi i gjetjes së të zhdukurve gjatë gjenocidit serb ndaj shqiptarëve të Kosovës.

Në muajin maj të këtij viti, në fshatin Kizhevak nisi zhvarrimi në kërkim të trupave të vrarëve gjatë gjenocidit serb. Procesi ka ecur me ritme të pakrahasueshme me Shqipërinë. Pala serbe është  detyruar ti përgjigjet Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur si dhe institucioneve të Kosovës dhe nuk ka mundur të bëhet pengesë për kërkimin dhe gjetjen e eshtrave të të zhdukurve gjatë gjenocidit.

Prokurori serb është i detyruar të kryejë rolin e tij institucional për të lejuar zhvarrimet e aktualisht procesi në Kosovë po ecën normalisht. Gjatë gjenocidit serb në Kosovë, u zhukën rreth 6,500 shqiptarë të Kosovës. Gjatë procesit të gjetjes së të zhdukurve janë kryer disa zhvarrime në varreza masive në Kosovë dhe Serbi. Deri më tani janë gjetur rreth 70 për qind e të zhdukurve e sipas autoriteteve të Kosovës vazhdojnë të jenë ende të pa gjetur trupat e pajetë të 1,600 të zhdukurve të tjerë.

Në Shqipëri ka varre të ushtarëve grekë, francezë, anglez etj.. por janë ende pa varre 6 mijë viktima të diktaturës komuniste.

Prokurori në Shqipëri fshihet pas interpretimeve banale të ligjeve të diktaturës kur thotë se: ” u vranë sipas ligjeve të kohës”, dhe kështu i largohet detyrimit për t’i gjetur, pa marrë parasysh në asnjë rast se është fjala për krime kundër njerëzimit.   Është fjala për krime të shtetit shqiptar mbi qytetarët e tij. Megjithëse prokuroria insiston në rolin e saj bllokues për këtë proces, ligjet ndërkombëtare prevalojnë mbi ato shqiptare dhe prokuroria do të duhej të ishte detyruar të kryente detyrën e saj në procesin e  kërkimit të të zhdukurve gjatë diktaturës

E pavarësisht kësaj Prokuroria guxon ende të refuzojë, të pengojë e madje të ndalojë procesin e gjetjes së të zhdukurve me forcë gjatë diktaturës komuniste.

Le ti referohemi arsyetimit të Prokurorisë sipas të cilit: këta të zhdukur “u ndëshkuan sipas ligjeve të kohës”, atëherë sipas cilit ligj të kohës është zhdukur Marta Kadeli? Ajo ishte një foshnje disa muajshe, e  cila ndërroi jetë në Kampin e Tepelenës në vitin 1950, atje ku vuante dënimin me internim bashkë me të ëmën.

Marta u varros në kampin famëkeq, mirëpo trupi i saj nuk u gjet kurrë. Të njëjtin fat kanë pasur rreth 300 fëmijë të tjerë në atë kamp. Ai sistem i çoi drejt vdekjes, iu humbi varret ndërsa institucionet e 30 viteve pluralizëm  po u mohojnë të drejtën e një banese të fundit.

Vallë, cilat ligje të kohës e justifikojnë zhdukjen e këtyre fëmijëve? Cili ligj i kësaj kohe e ndalon kërkimin për gjetjen e eshtrave të tyre? Prokuroria nuk ka një përgjigje për këtë.

Çdo përvjetor të ditëzhdukjes, familjarët shkojnë e hedhin ndonjë lule rreth rrënojave të Spaçit, Burgut të Burrelit, Zallit të Kirit, Kampit të Tepelenës, Lumit të  Bënçës, në Kalanë e Gjirokastrës, përballë Uzinës së Ballshit, në kodrën e Panahorit, e në dhjetra vende të tjera ku mendohet se prehen viktima të të pafajshëm të diktaturës komuniste. Shkojnë anë këto vende me shpresën se të afërmit e tyre mund të prehen diku aty diku pranë.

Ndërkohë prokuroria refuzon  të nisë procesin e kërkimit pa shpjegime të qarta për këtë refuzim. E askush nuk po argumenton, mbi shkaqet që e mbajnë peng procesin e kërkimit të eshtrave të të zhdukurve./ Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!