Sa herë që jemi në merkato, emri i sulmuesit të Borussia Dortmund, Jadon Sancho, është ndër më të lakuarit. Është folur shumë për një kalim të tij te Manchester United, por ende nuk ka asgjë konkrete.
Megjithatë, drejtuesit e klubit gjerman po mendojnë që tani për zëvendësuesin e anglezit. Nëse në verë vjen një ofertë 120 milion euro për kartonin e Sanchos, atëherë Dortmund do të pranonte.

Sipas raportimit të “Bild”, verdhezinjtë nuk do të humbasin aspak kohë dhe kanë piketuar talentin e Monacos, Sofiane Diop, si pasardhësin e Sanchos. Kartoni i francezit vlerësohet 10 milionë euro dhe te Dortmund kanë mbetur të habitur nga paraqitjet e 20-vjeçarit këtë sezon.
Alternativa të tjera për ta janë edhe Donyell Malen i Ajax apo Jayden Braaf i Manchester City. Gjithsesi, fillimisht duhet të shitet Sancho që Borussia të hidhet në sulm për ta zëvendësuar atë denjësisht. /abcnews.al

