DUBAI- Autoritetet në Dubai, kanë arrestuar të martën, Armis Stafa i njohur edhe si Armees Stava, pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Shqipëria. Ka qenë një informacion i marrë nga Interpol Tirana që më pas kanë njoftuar autoritetet në Dubai, për sa i përket vendndodhjes së Armis Stafës.
Gjykata e Posaçme në vitin 2024, i ka caktuar Armis Stafës, në mungesë masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Pastrim parash”, kryer në bashkëpunim.
Armis Stafa, gjatë një procedimi të SPAK të nisur në vitin 2022, dyshohet se në bashkëpunim me persona të tjerë ka pastruar paratë e vëllezërve Franc dhe Hajdar Çopja. Emri i Armis Stafës doli gjatë operacionit të SPAK për goditjen e grupit kriminal të drejtuar nga vëllezërit Çopja.
Stafa, sipas SPAK, nëpërmjet një kompanie dhe duke shitur e blerë makina, ka pastruar një shumë të konsiderueshme të parave të Franc dhe Hajdar Copjas që vinin nga aktiviteti I tyre kriminal.
Sipas SPAK, njerëzit që maskoheshin si tregtarë dhe biznesmenë por të përfshirë në pastrimin e parave të vëllezërve “Çopja”, janë Talo Çela, kushëriri i tij Armis Stafa, Rexhino Doçi, Klajdi Merkaj, Arben Lamçja, Maklen Mici por edhe Bashkim Lika. /abcnews.al