Pastrimi i parave të krimit me buxhetin, Rama qesh me Bashën

schedule12:44 - 14 Nëntor, 2017

schedule 12:44 - 14 Nëntor, 2017

Kryeministri Rama mori pjesë në konferencën e dytë të Shoqatës Shqiptare të Bankave, nga ku ironizoi deklaratat e Bashes se përmes buxhetit 2018 do të bëhet pastrimi i parave të krimit. Rama paralajmëroi gjithashtu se do të marrë fund praktika e dy buxheteve për t’iu shmangur taksave, si dhe fenomeni i pagave të deklaruara vetëm pjesërisht.

Edi Rama qeshi me thirrjet e Lulzim Bashës se buxheti 2018 duhet të administrohet nga FBI si provë e përfshirjes së Kryeministrit në trafikun e drogës. Kreu i Qeverisë zgjodhi një takim me Shoqatën Shqiptare të Bankave për të pranuar se opozita e kishte tejkaluar imagjinatën e tij, me akuzën se buxheti 2018 dhe – përmes sistemit bankar – programi 1 miliard për rindërtim, do të bëjnë pastrimin e parave të krimit.

Duke iu referuar gjithnjë akuzave të opozitës, Kryeministri deklaroi se nëse ka një sistem ku ekonomia informale s’ka shans të penetrojë, është pikërisht sistemi bankar.

Rama i dërgoi edhe dy mesazhe kompanive. I pari kishte të bënte me buxhetet e dyfishta, ku Kryeministri theksoi se nga viti i ardhshëm tatimet do të paguhen mbi atë që u deklarojnë bankave.

Paralajmërimi i dytë i Ramës kishte të bënte me rrogat e padeklaruara apo të deklaruara pjesërisht, nga të cilat kompanitë kursejnë në kurriz të sigurimeve shoqërore të punëmarrësit.

Gjatë takimit, Guvernatori Bankës së Shqipërisë u shpreh optimist për trendin e ekonomisë shqiptare.

Ai vlerësoi rënien e ndjeshme të kredive me probleme, krahasuar me vitin 2014 kur arritën kulmin në nivel 25%.

Në këto kushte, Guvernatori Sejko apeloi bankat e nivelit të dytë për një fuqizim të aktivitetit kreditues në vend. /abcnews.al